Lajme

Venezuela dhe Kolumbia rihapin plotësisht kufirin e përbashkët


Venezuela dhe Kolumbia do të rihapin plotësisht kufirin e tyre të përbashkët më 1 janar për të lejuar kalimin e mallrave dhe transportit të pasagjerëve përmes urës ndërkufitare Tienditas.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar Migracionin e Kolumbisë.

Vendet e Amerikës së Jugut rihapën tashmë në shtator pikën e tyre kufitare në shtetin Tachira, në Venezuelën perëndimore.

Kjo, pasi lidhjet politike u forcuan nga presidenti i ri kolumbian, Gustavo Petro.

Petro dhe homologu i tij venezuelian, Nicolas Maduro, emëruan ambasadorë përkatësisht në Karakas dhe Bogota.

Autoritetet kolumbiane kanë thënë që nga shtatori se rihapja e kufirit të përbashkët prej 2 mijë e 200 kilometrash midis dy vendeve do të ishte progresive.

Javën e kaluar, zyrtarët e qeverisë venezueliane po mbikëqyrnin infrastrukturën e urës Tienditas.

Diku tjetër, njerëzit dhe ngarkesat tashmë mund të kalojnë kufirin nëpërmjet dy urave në Tachira si dhe në shtetin perëndimor Zulia.

Fluturimet midis kryeqyteteve Karakas dhe Bogota rifilluan në nëntor.

Sipas të dhënave zyrtare nga Kolumbia, shkëmbimi tregtar mes dy vendeve kap vlerën e rreth 580 milionë dollarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore