Sport

Venezia i jep fund pritjes 19-vjeçare për në Serinë A


Klubi i Venezia-s do të jetë skuadra e tretë që ngjitet nga Seria B për në Serinë A këtë sezon, pas Empoli-t dhe Salernitana-s. Kështu, Venezia i ka dhënë fund pritjes 19-vjeçare për të qenë përsëri pjesë e Serisë A, pasi eliminoi në play-off Cittadella-n, me rezultatin e përgjithshëm 2-1.

Klubi i Venezia-s u themelua në 1907 dhe në pjesën më të madhe të historisë së saj ka luajtur në dy nivelet më të larta të futbollit italian. Arritja më e madhe në historinë e klubit ka qenë fitimi i Kupës së Italisë në sezonin 1940/’41 dhe vendi i tretë në Serinë A, një sezon më vonë.

Venezia u ngjit në Serinë A, pas përfundimit të sezonit 1997/’89, asokohe i dha fund një pritjeje 31-vjeçare. Drejtor Sportiv në atë sezon dhe në disa pasardhës, ishte Beppe Marotta.

Ai afroi në ekip dy lojtarë të Milan-it, Filippo Maniero-n dhe portierin Massimo Taibi.

Më pas, në ekip do të afrohej edhe një organizator i ri, Alvaro Recoba, i cili vinte në huazim nga Inter-i.

Dyshja e Venezia-s, Maneiro – Recoba, së bashku arritën të shënonin 23 gola (12 me 11), duke bërë të mundur qëndrimin e Venezia-s në Serinë A.

Në sezonin 1999/00, Venezia afroi në stol teknikun e mirënjohur italian, Luciano Spalletti-n. Por, rezultatet jo të kënaqshme bënë që ai të shkarkohej dhe, përgjatë këtij sezoni, do të ndërronin edhe dy trajnerë të tjerë: Giuseppe Materazzi-n dhe Francesco Oddo-n.

Në fund të sezonit, Venezia u rendit në vendin e 16-të, duke rënë në Serinë B.

Në krye të pankinës së klubit erdhi një tjetër emër i njohur në futbollin italian, Cesare Prandelli, i cili i drejtoi drejt ngjitjes në Serinë A.

Pas ngjitjes në Serinë A, Prandelli largohet nga drejtimi i ekipit dhe, në fund të sezonit, ata bien përsëri në Serinë B.

Ngjitja e radhës në Serinë A ishte në sezonin e sapopërfunduar 2020/’21, duke i dhënë fund pritjes 19-vjeçare.

Ndeshjet si ekip pritës, Venezia i luan në stadiumin “Pier Luigi Penzo”, i cili ka marrë emrin në nder të pilotit italian të Luftës së Parë Botërore.

Kapaciteti i stadiumit është rreth 7 mijë e 500 vende dhe ai është stadiumi i dytë më i vjetër në Itali, pas “Luigi Ferraris” të Xhenovas. Ai është i vendosur në ishullin Sant’Elena, ngjitur me Bienalen e Venezias.

Tashmë, zyrtarisht janë bërë të ditur të 20 ekipet që do të jenë pjesë e Serisë A për sezonin 2021/22: Atalanta, Bologna, Cagliari, Empoli, Fiorentina, Genoa, Inter, Juventus, Lazio, Milan, Naploli, Roma, Salernitana, Sampdoria, Sassuolo, Spezia, Torino, Udinese, Venezia, Verona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore