Kosova

Vendosi lule te varri i Blerina Jasharit në Prekaz, avokati serb ndalohet për 4 orë nga BIA


Çedomir Stojkoviç

Çedomir Stojkoviç, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviç, përmes një postimi në platformën sociale, X, ka njoftuar se të premten është ndaluar për katër orë rresht nga anëtarët e Inteligjencës serbe, e njohur ndryshe si BIA, në pikë kalimi kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndalimi i tij ka ardhur si rrjedhojë e vizitës së tij në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Avokati serb, i cili është një zë kritik ndaj politikave të Aleksandër Vuçiç, përpos homazheve në Memorialin “Adem Jashari”, të enjten vendosi edhe lule te varri i Blerina Jasharit duke kërkuar falje për krimet serbe, njëjtë siç bëri klienti i tij në shkurt të vitit të kaluar, veprim i cili e dërgoi atë në paraburgim.

“Pasi u ndalove për 4 orë nga anëtarët e BIA u lirova për të vazhduar më tej”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Stojkoviç është liruar, pasi sipas tij autoritetet serbe e kanë të qartë se nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhte presioni ndërkombëtar do të ishte i madh.

“Lirimi im nuk është pasojë e vullnetit të autoriteteve. Më liruan për shkak të ndërgjegjësimit të qeverisë se po të më arrestonin presioni nga ndërkombëtarët do të ishte shumë i madh”, ka shkruar ai.

Stojkoviç te varri i Blerina Jasharit bashkë me një buqetë me lule kishte lënë edhe një mesazh.

“Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet, dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën Më Fal”, thuhet në mesazh.

Nikola Sanduloviç vitin e kaluar bëri homazhe në kompleksin “Adem Jashari”, në Prekaz duke vendosur një kurorë në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 Marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore