Lajme

“Vendimi i Osmanit shkelje kushtetuese – mesazh frikësimi për organet e pavarura”


Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka vlerësuar jo-kushtetues vendimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shkarkuar kryesuesen e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Ai në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, shkarkimin e Dakës, e ka cilësuar si mesazh frikësimi për organet tjera të pavarura, derisa i ka përmendur disa arsyeje pse është ky vendim jolegjitim.

“Kjo është shkelje e pastër kushtetuese dhe atë për disa arsye. Në rend të parë, Presidenti i Republikës në asnjë vend që ka demokraci kushtetuese parlamentare me sistem republikan nuk mund të shkarkojë krye në veti asnjërin prej anëtarëve të organit që organizon dhe përgatitë mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Hasani.

Spas tij, “kjo prerogativë iu takon autoriteteve emëruese. Vetëm atëherë kur këto autoritete dështojnë, atëherë Presidenti i Republikës, në konsultim edhe me to, mund të bëjë zgjedhjen dhe emërimin e kandidatit të përshtatshëm. Në të gjitha rastet tjera, Presidenti ka vetëm të drejtën e emërimit, jo të zgjidhjes. Kjo sepse Presidenti duhet të bëjë konsultimet e duhura për një gjë të tillë me autoritetin emërues të anëtarit të KQZ”.

Hasani ka theksuar se çdo president që i takon një demokracie kushtetuese parlamentare, nuk ka vendimmarrje autonome.

“Çdo emërim dhe shkarkim (secilin dekretim) e bën si pjesë e një vendimmarrje zinxhirore. Kështu është edhe më KQZ (që në vendet tjera ka emërtime të ndryshme, por funksioni është tërësisht i njëjtë me KQZ në vendin tonë). Së dyti, në krye të KQZ gjendet një profesionist që për autoritet zgjedhës e ka një organ gjyqësor që është instanca e apelit apo instanca më e lartë në gjyqësorin Kosovar”, ka shtuar Hasani për AP.

Ai potencon se në Kushtetutën e Kosovës (neni 84.26) Presidentit ia jep të drejtën vetëm për të emëruar kryesuesin e KQZ.

Hasani thotë se Presidenti nuk është organ ligj-zbatues, por zbatues i Kushtetutës, prandaj sipas tij “analizën e fakteve për punën e KQZ e bëjnë vetë anëtarët e KQZ dhe autoritetet emëruese”.

“Presidenti duhet me ta të konsultohet vetëm në rastet kur autoritetet në fjalë propozojnë ndërprerjen e mandatit, asnjëherë duke iu pri me vlerësimet e veta autoriteteve emëruese (në këtë rast Gjykata Supreme si autoritet emërues i zonjës Valdete Daka)”, është shprehur Hasani.

“Kjo përfaqëson një arbitraritet politik që prish sigurinë juridike dhe sundimin e ligjit sepse përçon një mesazh frikësimi te organet tjera të pavarura të sistemit kushtetues, në veçanti te organet e drejtësisë dhe gjyqësori se kjo i pret nëse nuk bëhen të dëgjueshëm”.

Presidentja Vjosa Osmani e ka shkarkuar nga detyra e Kryesueses së Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Dakën.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se “kriteri i të qenit organ i pavarur duhet të sigurohet nga të gjitha institucionet relevante dhe duhet menaxhuar nga brenda nga Kryesuesi së bashku me anëtarët e KQZ-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore