Vendimi i MPB-së “potez elektoral”

SHFLETO

Ilustrim

 

Ridvan Emini
07.08.2021 8:00
Loading Icons...

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sfeçla, ditë më parë ka marrë një vendim, ku sipas tij të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, pavarësisht afatit të skadimit të vlefshmërisë së letërnjoftimit, karta e identitetit konsiderohet e vlefshëm edhe për gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të vendimit.

Leternjoftimi, sipas vendimit, ani pse pa afat mund të përdoret si i vlefshëm pranë të gjitha institucioneve publike dhe private brenda territorit të Kosovës.

Vendimi gjithashtë në pikën e dytë të tij obligon të gjitha institucionet në zbatim.

“Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private për zbatimin e këtij vendimi”.

Vendimi i Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla për zgjatjne e vlefshmërisë së Letërnjoftimit gjerë në mesin e janarit të vitit 2022

Vendimi i ministrit Sfeçla ka hyrë në fuqi ditën kur edhe është nënshkruar, më 14 korrik, rrjedhimisht vlefshmëria e letërnjoftimëve të skaduar do të jetë gjerë në mesin e muajit janar të vitit 2022.

Ky vendimi i ministrit Sfeçla po shihet si vendim politik dhe si i tillë “është nxjerr me qëllim që në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit të kenë mundësinë të votojnë të gjithë ata që kanë dokumente të skaduara”.

Për Albanian Post, analisti Fitim Salihu, ka thënë se vendimi i ministrit Sveçla më shumë ngjan me një “potez elektoral se sa me një veprim administrative”.

Ai ka thënë se vendimi i ndërmarr “është në vazhdën e shfrytëzimit të resurseve dhe institucioneve shtetërore për interesa partiake”.

“Kjo qeveri ka tentuar ta orkestrojë për interesa politike edhe KQZ-në, edhe Prokurorinë, edhe Ligjin Zgjedhor. Prandaj, ky veprim është i pandashëm dhe endemik për një mendësi të tillë që shtetin e sheh si instrument të mbajtjes së pushtetit”, ka thënë ai.

Ibrahim Selmonaj, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se është kundër votimit të qytetarëve me dokumentacion të skaduar dhe se për këtë do të ngris zërin brenda KQZ-së.

“Sigurisht se jam dhe do të jemë kundër votimit me dokumente të skaduara afati”.

Selmonaj ka thënë se kur është shkarkuar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, Presidenja, Vjosa Osmani e ka përdorur si argument votimin e qytetarëve me dokumente të skaduara, ani pse Daka kishte votuar kundër një vendimi të tillë.

“Të paktën pikërisht Presidentja e vendit pas shkarkimit të zonjës Daka, ka përdor si arsyetim votimin me dokumente të skaduara. Edhe pse Daka në zgjedhjet e shkurtit ishte kundër një votimi të tillë”, ka thënë ai për Albanian Post.

Edhe Betim Gjoshi nga Partia Demokratik e Kosovës (PDK) i cili më parë ishte anëtar i KQZ-së nga ky subjekt politik, për Albanian Post ka thënë se ministri Sveçla ka dështuar që të pajisë qytetarët me dokumentacion, gjë që është detyrë bazike e ministrisë që ai drejton.

“Fillimisht më lejoni të theksoj se Ministria e Punëve të Brendshme ka dështuar që t’i pajisë me letërnjoftim qytetaret e Kosovës, pra një nga detyrat themelore nuk është duke u përmbush, pajisen me dokumente personale. Kjo dëshmon paaftësinë e kësaj qeverie”.

Gjoshi konsideron se vendimi i ndërmarr nuk ka bazë juridike.

“Unë mendoj se ky vendim nuk ka vlerë juridike, pasi afati i dokumenteve përcaktohet me ligj”.

“Ndërsa sa i përket ndikimit në zgjedhje mendoj që KQZ-ja e ka ligjin e zgjedhjeve që duhet ta implementoj, dhe duhet të injoroj përpjekjet e Qeverisë me ndikua në proces zgjedhor”.

Gjoshi gjithashtu ka thënë se “është hera e parë që një Qeveri (Qeveria Kurti) me çdo kusht po tenton të ndërhyjë në procesin zgjedhor, por këto orvatje janë të kota. Qytetarët tashmë po i njohin dhe ua shohin veprimet antiligjore dhe nepotiste”, është shprehur Gjoshi për Albanian Post.

Kurse anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sami Kurteshi për Albanian Post ka thënë se mbështet ashtu siç ka mbështet edhe në të kaluarën votimin e qytetarëve në zjedhje, ani pse dokumentet e tyre mund të jenë të skaduara.

“Kur nxirrni dokument të ri, letërnjoftim, pasaportë apo edhe leje të vozitjes, ju do ta keni emërin e njëjtë, mbiemrin e njëjtë e numrin personal të njëjtë. Këto janë çështjet kryesore, do me thënë është çështja e identifikimit, nëse skeni heq dorë nga shtetësia, krejt është në rregull sipas mendimit tim, por edhe ashtu është”.

Në pyetjn se a keni pasur të nëjtin mendim dhe qëndrim edhe në zgjedhjet e kaluara, Kurteshi ka thënë se po.

“Unë personalisht kam kërkuar dhe se kjo është normë gjithkund në botë sepse shumë njerëz harrojnë me i shiku dokumentet me afat, ju kalon afati, mirëpo çështja e dokumentit të identifikimit nuk vihet në pyetje. Ai është dokument i vlefshëm … Për arsye prej më të ndryshmve njerëzit nuk kanë mujt me nxjerr një dokument me kohë’.

“Unë do të jem dhe ne të Vetëvendosjes jemi për atë. Për partitë e tjera si vendosin unë nuk e di, por nuk ka arsye dhe normë që e ndalon”, ka thënë Kurteshi.