Shqipëria

Vendimet e Qeverisë: Nga indeksimi i pensioneve, te të dhënat personale e moratoriumi i gjuetisë


Mesditën e 30 marsit, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u morën disa vendime, duke filluar me indeksimin e pensioneve, te të dhënat personale, deri te moratoriumi i gjuetisë.

Fillimisht, ishte ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila bëri me dije se është miratuar projektligji për Paketën e Rezistencës Sociale mbi përballimin e rritjes së çmimeve.

“3.3% do të jetë indeksimi për të gjitha kategoritë e pensioneve. Kjo ka kosto prej 3.3 miliardë lekësh në buxhet”, deklaroi Ibrahimaj.

Sipas saj, ky indeksim është më i lartë, pasi ishte parashikuar 2.4%.

“25 mijë lekë është shtesa e një familjeje mesatare lidhur me rritjet e çmimeve të shportës, ne kemi dhënë 3 mijë lekë”, theksoi më tej ministrja.

Manja

Nga ana tjetër, ministri shqiptar i Drejtësisë, Ulsi Manja, zbuloi kalimin në Kuvend për votim të dy projektligjeve të rëndësishme bazuar në Konventat e Këshillit të Evropës.

Njëri prej tyre lidhej pikërisht me mbrojtjen e të dhënave personale.

Manja zbuloi fillimisht se këto dy projektligje do të bëhen “pjesë e të drejtës sonë të brendshme”.

“Konventa e Këshillit të Evropës është tregues i vullnetit tonë të fortë, për transparencën sa u takon vendimmarrjeve me rëndësi publike”, shtoi Manja.

Ai sqaroi se dy projektligjet përfshijnë aksesin në dokumente zyrtare dhe mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale.

Kjo e fundit, sipas ministrit, prej 35 vitesh shërben si baza ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale në dhjetëra vende të Evropës.

Kumbaro

Sakaq, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, zbuloi miratimin e shtyrjes së “moratoriumit të gjuetisë për pesë vitet e ardhshme”.

Ky projektligj është vijimi i dy ligjeve të mëparshme dhe do të aplikohet nga momenti që hyn në fuqi vendimi.

“Në vitin 2016 në fund të monatoriumit, 60 mijë lloje shpendësh të egra u zbuluan në habitat”, vërejti zyrtarja shqiptare.

Ndërsa, sipas ministres, 140 mijë lloje të tilla ishin në fund të vitit 2021.

“Dy vitet e para, 2015-2016 u sekuestruan mbi 800 armë gjahu”, shtoi ajo gjatë fjalës së saj.

Kumbaro theksoi se vendi më i pasur me lloje të ndryshme të faunës janë lagunat, sidomos ajo e Karavastasë.

Teksa u pyet për fillimin e sezonit veror dhe problematikat e mbetjeve, zyrtarja sqaroi se të gjitha bashkitë e vendit po bëjnë pastrimin e territorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore