Lajme

“Vendim skandaloz”, thotë Zemaj për ndërprerjen e operacioneve në spitalin e Gjakovës


Ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemajl.

Ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar pas vendimit të Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, për ndalimin e operacioneve me arsyetimin se temperaturat në vend aktualisht janë të larta.

“O ministër i shëndetësisë, a je gjallë?”, “A mos ke dhënë prapë dorëheqje?”, kanë qenë dy pyetjet e Zemajt drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai tutje ka pyetur “nëse po, a kthehesh prapë ministër?”, “nëse jo, a je ministër edhe kur janë temperaturat e larta?”.

“Ku je ministër i vendimeve që e dëmtojnë shëndetin dhe nuk ofrojnë shërbime për pacientët?”.

Teksa këtë vendim të spitalit ai e ka cilësuar si “të papranueshëm” dhe “skandaloz”.

“Vendimi i Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, për ndalimin e operacioneve – programit të ftohtë gjatë muajve te verës është i papranueshëm, i dëmshëm; është skandaloz”.

“Një vendim i tillë është për keqardhje për një shoqëri që problemin më të madh e ka mbijetesën, mirëqenien dhe qasjen minimale për shërbime shëndetësore”, ka shkruar Zemaj në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai tutje ka thënë se këto probleme i kanë adresuar edhe në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në takimin e së martës.

“Hiq më larg se dje, në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale adresuam problemet e shumta, ku njëra ndër to ishte edhe lista e gjatë e pritjes për të marrë shërbimet shëndetësore”.

Ai tutje ka thënë se ky vendim është në përgjegjësi të ministrit të Shëndetësisë.

“E zotimi i pushtetit ishte që do të angazhohen në këtë drejtim, ndërsa nuk vonon shumë Spitali i Gjakovës, që është nën menaxhim të pushtetit merr një vendim krejt të kundërt nga zotimi i udhëheqësve të tyre”.

“Përgjegjësia politike e ministrit të shëndetësisë është e pakontestueshme”.

Ky vendim nga Spitali i Gjakovës ishte marrë në takimin e Këshillit Drejtues të Spitalit të mbajtur me 6 korrik.

Në vendimin e miratuar thuhej se ky vendim është marrë për shkak të periudhës së pushimeve vjetore, temperaturave të larta dhe mungesës së kushteve optimale për punë.

Nga spitali është thënë se që nga 7 korriku në sallat operative pranohen vetëm raste urgjente, deri në një vendim tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore