Lajme

Vendet në zhvillim mirëpresin premtimin amerikan të financimit mbi klimën


Oferta e shtuar e financimit të klimës nga presidenti amerikan, Joe Biden, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) të martën e 21 shtatorit, u përshëndet nga vendet në zhvillim dhe nga aktivistët.

Agjencia e lajmeve “The Guardian”, tregon se, përpos kësaj, ata kanë paralajmëruar se vendet e pasura duhet të bëjnë më shumë për të siguruar që më të varfrit të marrin ndihmën që u nevojitet.

Biden, duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, ka thënë se ai do t’i kërkonte Kongresit amerikan të dyfishonte në 11 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2024 ndihmën financiare që SHBA u ofron vendeve në zhvillim.

Kjo për t’i ndihmuar ata të ulin emetimet e gazrave serë dhe të përballojnë me ndikimet e motit ekstrem.

Financimi i klimës është një nga çështjet më të mëdha në bisedimet e ardhshme Cop26të Klimës, të cilat do të mbahen në Glasgow këtë nëntor, me vendet në zhvillim të shqetësuara se premtimi që ata do të merrnin 100 miliardë dollarë në vit nga 2020-a nuk është përmbushur ende.

Simon Stiell, ministër i Mjedisit në Grenada, ka thënë se “e dimë se kjo po na sjell një hap më pranë dorëzimit të 100 miliardë dollarëve të premtuar nga vendet donatore dhe se do të bëjë një ndryshim të prekshëm në vende si imi që mbështeten në këtë financim për t’u përshtatur me ndikimet e ndryshimit të klimës që ndiejmë sot”.

Për John Nordbo, nga Care International, përpjekjet e SHBA-ve nuk ka të ngjarë të jenë të mjaftueshme, duke qenë se SHBA-të janë ekonomia më e madhe në botë dhe emetuesi i dytë më i madh i gazrave serë.

“Ky zotim i përditësuar nga Biden prej 5.7 miliardë dollarë shtesë është pa dyshim një hap pozitiv dhe dërgon një sinjal të fortë. Duke marrë parasysh se ku ishin SHBA-të vitin e kaluar, ky është një hap përpara në drejtim të lidershipit klimatik. Sidoqoftë, realiteti është se ne jemi ende shumë larg nga mbyllja e hendekut në angazhimet për financimin e klimës”, ka thënë ai.

Madje, disa grupe u kanë bërë thirrje SHBA-ve të sigurojë më shumë se 40 miliardë dollarë në vit.

Në Cop26, vendet e varfra duan jo vetëm sigurinë se objektivi prej 100 miliardë dollarësh do të përmbushet, por gjithashtu se negociatat do të fillojnë për një regjim të ri financash nga viti 2025, i cili do të siguronte që ata të kenë akses në fondet e nevojshme për të zhvendosur ekonomitë e tyre në një bazë me karbon të ulët dhe të përshtatet me ndikimet e krizës klimatike.

Sipas “The Guardian”, për vendet më të varfra në zhvillim, ka një ndërlikim të mëtejshëm.

Deri më tani, pjesa më e madhe e financimit të klimës së ofruar ka shkuar në vendet në zhvillim me të ardhura të mesme dhe është derdhur në projekte që zvogëlojnë emetimet e gazrave serë. Por shumë nga këto projekte janë fitimprurëse dhe mund të kenë tërhequr financime në çdo rast.

Prioriteti për vendet më të varfra në zhvillim është marrja e financave të përshtatjes, e cila i ndihmon ata të krijojnë elasticitet dhe të përshtatin infrastrukturën e tyre ndaj efekteve të motit ekstrem që tashmë janë dëshmuar në të gjithë botën.

Mirëpo, financimi i projekteve të përshtatjes – të tilla si sistemet e paralajmërimit të hershëm ose infrastruktura më e mirë – është i shtrenjtë dhe zakonisht nuk prodhon një kthim financiar të prekshëm. Prandaj dhe është shmangur nga donatorët në favor të fitimeve të lehta diku tjetër.

Disa projekte adaptimi mund të zvogëlojnë emetimet e gazrave serë dhe të mbrojnë natyrën, kështu që shumë vende kanë vendosur shpresat e tyre për të fituar financa për “zgjidhje të bazuara në natyrë” në Cop26, por edhe kjo ka qenë e ngadaltë.

Nga ana tjetër, ekzistojnë shqetësime se disa nga financimet klimatike të ofruara kanë ardhur në formën e huave më shumë sesa granteve, të cilat mund t’i shtyjnë vendet e varfra më thellë në borxhe.

Kurse disa prej tyre kanë ardhur nga buxhetet ekzistuese të ndihmës për zhvillimin, që do të thotë se vendet po humbasin fonde për arsimin, shëndetësinë dhe të mirat e tjera publike.

Nordbo është shprehur se vendet e pasura duhet të dalin me premtime të mëtejshme dhe plane më të qarta para Cop26.

“Ne po ecim përpara për këtë çështje, por problemi është se mijëra njerëz të tjerë po zhvendosen ose po vdesin. Duke marrë parasysh sa para kanë fituar këto vende nga industritë e krijimit të emetimeve të karbonit, asnjë prej tyre nuk po ecën aq shpejt sa duhet”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore