Shqipëria

Vendet e NATO-s të mos lejojnë provokimet destabilizuese për Kosovën, thotë Begaj


Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u ka bërë thirrje vendet të rajonit të cilat janë anëtare në NATO, që duhet të flasin me një zë për mos lejimin që provokime të ndryshme ta destabilizojnë Kosovën dhe të gjithë rajonin.

Kreu i shtetit zhvilloi një seri takimesh me krerët e shteteve të rajonit, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Prespës për Dialog.

Begaj u takua me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç, si dhe Presidentin e Malit të Zi Jakov Milatoviç.

Gjatë takimeve, presidenti shqiptar ndau me presidentët vizionin e përbashkët të mbështetur në respektin e ndërsjellë, dialog, bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje, që janë tejet të rëndësishme për të forcuar paqen dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pjesë e diskutimeve me presidentët ishin dhe efektet që ka prodhuar lufta në Ukrainë për rajonin në tërësi, si dhe çështje me interes dypalësh.

Presidenti i Shqipërisë deklaroi më herët gjatë fjalës së tij në Forumin e Prespës për Dialog, se Kosova sot është “një realitet politik i pakthyeshëm”.

Megjithatë, pavarësisht shpresës që ngjalli një dakordësi e arritur në Ohër për të çuar përpara dialogun, situata e sotme reflekton një zhgënjim, duke iu referuar tensioneve të larta mes Kosovës dhe Prishtinës, sa i takon veriut.

Ndaj, për Begajn, është thelbësore sot që të dy liderët, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç, duhet të marrin një përgjegjësi historike dhe ta çojnë përpara procesin e pajtimit mes dy vendeve.

Kjo, njëjtë si Greqia me Maqedoninë e Veriut pesë vjet më parë.

Por, ende jemi larg asaj që dëshirojmë, sipas Begajt.

I gjithë procesi duhet të sjellë veprime të shpejta edhe për shkak të gjithë dinamikës së krijuar prej Luftës në Ukrainë në vitin e fundit, me një Rusi pjesë të Këshillit të Sigurimit, e cila është agresore në këtë rast.

Kjo luftë, përtej pasojave të shumta dhe pasigurisë së madhe që ka sjellë për të ardhmen, ka ndikuar edhe në Ballkan, siç shtjellon kreu i shtetit.

“Ne po përpiqemi të ndërtojmë një rajon me frymë bashkëpunimi”, sintetizoi Begaj, duke shtuar se për të arritur paqen dhe harmoninë, jemi larg vetëm aq sa dëshirojmë.

Pra, duhet të ketë lëvizje të mirëfillta politike, për t’i vendosur në vijë gjërat dhe për të krijuar komunitetin e dëshiruar brenda Ballkanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore