Lajme

Vëmendja e shtuar e Italisë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – Politikë e re e Giorgia Melonit për Ballkanin, apo vazhdimësi e natyrshme?


Foto nga Albanian Post

Kastës së top diplomatëve francezë dhe gjermanë që janë angazhuar në fazën finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i është shtuar edhe Italia – e cila ishte shumë e zëshme gjatë “krizës së barrikadave”, në Veri fundvitin e kaluar përmes ministrit të Punëve të Jashtme, Antonio Tajani.

Tajani vazhdimisht kishte kërkuar de-përshkallëzim të situatës, por edhe qëndroi për vizitë në nëntor të 2022-s në Prishtinë e Beograd, për të përçuar një sinjal se Italia është e përkushtuar në gjetjen e një zgjidhje, meqë kryediplomati ishte shprehur se “nuk dua që lufta të ndodh sërish”.

Tash, pas Tajanit, të premten e 20 janarit në Kosovë do zbarkojë Francesco Talo, këshilltari i politik i kryeministres italiane, Giorgia Meloni.

Diplomati italian vjen bashkë me këshilltarët e presidentit francez dhe gjerman Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner, të shoqëruar nga Miroslav Lajçak nga Bashkimi Evropian dhe Gabriel Escobar.

“Asociacioni si Tiroli Jugor” – Arsyeja pse është përfshirë Italia në dialog?

Kohëve të fundit zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë me ngulmë po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të nis themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Tashmë po përmenden edhe modele të ndryshme në Evropë që do të mund të përdoreshin si shembull për ta themeluar Asociacionin në Veri të Kosovës.

Janë përmendur shembujt e Ishujve Aland e Belgjikës Lindore, por më shumë se gjithë të tjerët ai i Tirolit Jugor në Itali.

Për kryeredaktoren e Albanian Post në Tiranë, Gerta Zaimin, përfshirja direkte e Italisë në dialog mund të ndërlidhet me ekspertizën italiane me Tirolin, por kjo s’përbënë faktorin qendror.

“A është modeli i Tirolit Jugor për të cilin Italia i është shtuar këtij udhëtimi në Kosovë? Unë besoj që ky është një faktor shtesë, por nuk është faktori qendror. Modeli i Tirolit mund të diskutohej edhe nga aktorët e tjerë që janë të përfshirë në dialogun mes Kosovë dhe Serbisë. Prandaj, atë pjesën e Tirolit të Jugut e shoh si një faktor shtesë”, thotë Zaimi.

Megjithatë, tregon se në Itali diskutohet për këtë çështje kohëve të fundit, meqë ajo mendon se modeli i Tirolit të Jugut ka qenë model i suksesshëm në zbatim.

“Flitet në Itali për një propozim të tillë në lidhje me Asociacionin që të aplikohet në pjesën e veriut të Kosovës. Formula e Tirolit Jugor të Italisë është formula më e suksesshme e të gjitha territoreve, sepse territore të ndezura, ku ka një miks etnish dhe territore që i pretendojnë dy shtete ka shumë në Evropë. Dhe nga të gjitha modelet e mundshme, teknikisht ky ka qenë modeli më i suksesshëm”, shpjegon Zaimi.

Por, ajo vuri në pah se zbatimi i këtij modeli “ka një kosto shumë të lartë ekonomike”.

“Por, të kihet megjithatë parasysh se i njëjti model nuk merr formë identike dhe mund të aplikohet në të njëjtën formë në vende të ndryshme edhe për shkak të karakteristikave që territore të caktuara kanë”.

Por, përtej këtij faktori, “Italia është një aktor i rëndësishëm politik, diplomatik, ushtarak dhe ekonomik në radhë të parë”.

Zaimi kujtoi se Italia është njëra nga shtetet e para që ka ardhur me KFOR-in dhe është aktualisht prezente në Kosovë, pasi “ka një rol shumë të rëndësishme edhe në ruajtjen e Manastirit të Deçanit”.

“Italia ka rëndësi edhe në Veri me patrullimet e përbashkëta me forcat e sigurisë në Kosovë. Po ashtu, Italia ka pasur numrin më të lartë të ushtarakëve dhe komandantëve brenda KROR-it në gjithë historinë e KFOR-it në Kosovë dhe kjo ka një domethënie, sepse italianët janë më të ekuilibruar nga politika se sa mund të jenë shtetet tjera”.

Gerta Zaimi, Alma Lama dhe Enver Hoxhaj

Për ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhajn, qëndrojnë të gjitha arsyet e shtruara nga Zaimi, por ky bashkim i Italisë në ekipin e ngushtë të diplomatëve që po merren speficikisht me planin frano-gjerman, tregon se “jemi në një fazë kritike të negociatave”.

“Një përbërje tillë, SHBA, BE dhe shtete anëtarë te saj, Gjermani, Francë dhe Itali, flet për një fazë kritike të dialogut Kosovë-Serbi dhe një përpjekje serioze për të krijuar momentum për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtarë”, vuri në pah Hoxhaj për Albanian Post.

“Këto shtete në të kaluarën dhe sot, duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe, kanë përfaqësuar vendet e QUINT-it, si një grup vendimmarrjes ndërkombëtare për lirin e Kosovës më 1999 dhe pavarësinë e Kosovës 2008”.

Edhe Hoxhaj potencon se Italia është nder shtetet evropiane qe ka peshë te madhe në BE, por edhe për shkak të gjeografisë, historisë, sigurisë dhe ekonomisë ka qenë dhe mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës dhe Ballkanit si rajon.

“Hap të natryshëm angazhimin e shtuar të Italisë” e cilëson edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama.

“Italia është një nga shtet që ka kontribuar më së shumti në Kosovë në aspektin ushtarak, ekonomik dhe kulturor”, rithekson ajo për Albanian Post.

“Edhe pse me ardhjen e qeverisë se drejtuar nga kryeministria Meloni, përket krahut të djathtë, duket se ky shtet ka ndërmend të dinamizoj rolin e tij në politiken e jashtme në Ballkan dhe të dëshmojë se është një lojtar i rëndësishmen gjeopolitik, ndërkohë që në Kosove ka numrin më të madh të trupave ushtarake në kuadër të KFOR-it, dhe Karabinierët si pjesë e EULEX-it”.

Për Lamën, kjo është një dëshmi se do behën përpjekje të forta për të bindur Kosovën dhe Serbinë për të nënshkruar një marrëveshje përfundimtare.

“Me caktimin e një të dërguari special edhe nga Italia, plotësohet mozaiku i vjetër i Grupit të QUINT-it që ishte krijuar për procesin e negociatave të Vjenës dhe që ka vazhduar të luajë rolë në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës gjatë dy dekadave”, përfundoi ish-ambasadorja.

Të premtën Lajçak e Escobar bashkë me diplomatët pritet të zhvillojnë dy nga takimet më të rëndësishme kohëve të fundit në Prishtinë dhe Beograd.

Këto takime, siç merr vesh Albanian Post nga burime diplomatike, do jenë takime ku Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç do të duhet të jenë krejtësisht të qartë në qëndrimet e tyre në raport me propozimin për marrëveshje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore