Shqipëria

Vëllai i al-Zawahirit kishte lidhje me Shqipërinë, u dënua me vdekje në Egjipt


Vëllai i al-Zawahirit kishte lidhje me Shqipërinë, u dënua me vdekje në Egjipt

Ayman al-Zawahiri ishte kreu i grupit të njohur terrorist Al-Qaeda dhe vrasja e tij në një sulm amerikan me dron, mund të cilësohet edhe si ngjarja më e bujshme prej ekzekutimit të liderit historik të Al-Qaeda-s, Osama bin Laden.

Teksa al-Zawahiri zuri faqen e parë të gazetave më të mëdha botërore, pak është folur për personat që e rrethonin dhe ndër ta, edhe familjarë shumë të afërt, të cilët kanë pasur lidhje edhe me Shqipërinë, si i vëllai i tij, Muhammad Rabee al-Zawahiri.

Muhammadi, ka qenë i diplomuar në vitin 1974 në degën e inxhinierisë, në Universitetin e Kajros, Egjipt.

Prej aty, ai më pas u zhvendos në Arabinë Saudite, ku punoi në një firmë ndërtimi.

Për drejtësinë ndërkombëtare, emri i Muhammadit u bë i njohur vetëm për shkak të vëllait të tij, Ayman al-Zawahiri, pasi në vitin 1981, ai u dënua në mungesë për vrasjen e ish-presidentit egjiptian, Anwar Sadat, më 6 tetor 1981.

Gjithsesi, Muhhamadi u gjet i pafajshëm më pas për akuzat.

Pak nga pak, dy vëllezërit u afruan akoma më shumë me njëri-tjetrin dhe më pas, Muhammadi u angazhua me një grupim të njohur si Organizata Humanitare Islamike Ndërkombëtare (International Islamic Relief Organization).

Kjo organizatë ka operuar në disa vende të botës dhe vetë Muhammad al-Zawahiri, ka qenë pjesë e programeve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci si edhe Shqipërinë.

Gjatë kësaj kohe, sërish emri i tij u përfol për vrasjen e bujshme të presidentit egjiptian në vitin 1981 dhe së bashku me disa të tjerë, ai u dënua në mungesë.

Do të ishte viti 2000 ai “fatali” për Muhammad al-Zawahirin, pasi ai u kap në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u ekstradua më pas për në Egjipt.

Aty, ai mori dënimin me vdekje, pasi u akuzua si pjesë e grupimit “Jihad”. Mirëpo, ky dënim, nuk u ekzekutua dhe në vitin 2011, pas një grushti shteti ndaj ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak, al-Zawahiri u lirua nga burgu.

Ai u arrestua sërish në vitin 2013, pasi grupimi “Vëllazëria Myslimane”, i cili kishte ardhur në pushtet në Egjipt, u rrëzua nga drejtimi i vendit.

Në prill të vitit 2014, së bashku me 67 të tjerë, do të akuzohej për formimin e një grupimi terrorist, i cili dëshironte destabilitetin e Egjiptit. Ky grup, sipas akuzave, të gjithë aktivitetin e zhvillonte nën tutelën e Ayman al-Zawahirit, kreut të Al-Qaeda-s.

Prej 17 marsit 2016 ndërkohë, Muhammadi është i liruar prej burgimit dhe mendohet se po jeton ende në Egjipt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore