Lajme

Vela: Selakoviç si Qosiçi – gënjeshtra është një formë e patriotizmit serb


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviç dhe Shefi i Stafit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela.

Shefi i Stafit të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit, Blerim Vela, ka reaguar ndaj fjalimit të ministrit të Jashtëm serb, Nikola Selakoviç në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

Fjalimin e kryediplomatit serb, Vela e ka krahasuar me thënien e Dobrica Qosiçit se “gënjeshtra është formë e patriotizmit serb”.

“Ajo çfarë tha dje Selakoviq për Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit është një aplikim klasik i thënies së famshme të Dobrica Qosiqit (babait të kombit serb)”, ka shkruar Vela në Twitter.

Duke shtuar se “Gënjeshtra është një formë e patriotizmit serb dhe një konfirmim i inteligjencës sonë të lindur”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në këtë mbledhje është ballafaquar argumentativisht me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviç, argumentet e të cilit i ka quajtur “argumente të shtrembëruara”, për të paraqitur një pamje krejtësisht ndryshe nga ajo që është dhe që ka qenë në realitet.

“Kriminelët në Serbi jo vetëm që i glorifikojnë, por edhe po i rehabilitojnë nga këto institucione aktuale në Serbi”, tha Osmani së pari.

“Zoti Selakoviç po abuzon me fjalimin e tij, po abuzon serbët e Kosovës, shqiptarët e Kosovës dhe të gjithë komunitetet që jetojnë paqësisht në Kosovë”, deklaroi Osmani.

Osmani tha se Selakovic flet “për 100 krime të motivuara etnikisht por në fakt e përmend një krim 100 herë, për të arritur tek ai numër”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ballafaqohet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviç.

“Serbët në Kosovë”, tha Osmani “nuk kanë frikë nga unë, por nga strukturat paralele ilegale serbe, të mirëmbajtura e të financuara, të mbështetura dhe të shndërruara në banda nga Presidenti Vuçiç. Ata po shkelin të gjitha të drejtat. Ata po frikësojnë serbët”.

Ndërsa për dënimin me 2 vjet burg të Ivan Todosijeviç, Osmani tha se nuk është shkelur marrëveshja e Brukselit, pasi ai ka mohuar masakrën e Reçakut në Kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, vend ky që nuk është vend me shumicë serbe.

Osmani tha se krerët më të lartë shtetëror të Serbisë së sotme, ishin funksionarët e lartë shtetëror të regjimit të Millosheviçit.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikolla Selakoviç, në seancën për paraqitjen e raportit gjashtë-mujorësh të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në selinë e OKB-së në Neë York, ka vazhduar narracionin e kamotshëm të Serbisë kundrejt Kosovës, duke e paraqitur “të gjeturat tjera” të cilat, sipas tij, “nuk ishin të përfshira në raportin e Shefit të Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë,  Zahir Tanin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore