Lajme

Vela pas largimit nga pozita: Krenar për punën e bërë në Presidencë – po i kthehem angazhimit profesional


Blerim Vela.

Pas largimit nga pozita e shefit të stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela ka thënë se ishte “nder dhe privilegj të shërbente në Presidencë”.

Vela, përmes një shkrimi në platformën ‘X’, ka thënë se është krenar për punën që e ka bërë.

“Sot është dita ime e fundit në detyrën e Shefit të Stafit të Presidentes. Ishte nder dhe privilegj të shërbeja në Presidencë. Krenar për punën e bërë dhe përvojën e çmuar”.

“Po i kthehem angazhimit tim profesional dhe familjes. Falënderoj kolegët në Presidencë, institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtar për bashkëpunimin”, ka shkruar ai.

Zyra e Presidentes ka konfirmuar se Blerim Vela ka përfunduar angazhimin e tij në Presidencë.

Në njoftimin që ka publikuar Presidenca e Republikës së Kosovës thuhet se Vela do t’i “kthehet angazhimit të tij profesional dhe familjes”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën ka larguar nga detyra e shefit të stafit të presidentes, Blerim Velën.

Vela ishte emëruar shef i stafit të presidentes Osmani tre vjet më parë.

Ndonëse në vendim nuk tregohet arsyeja e largimit të Velës nga kjo pozitë, ai ishte i njohur me mungesë të maturisë dhe degradim të pozitës së tij shtetërore me ofendimet e shumta në platformën sociale, X.Skandali i fundit i cili ngjalli reagim publik ishte komenti i tij i turpshëm ku ndërlidhi gazetarin shqiptar Fahri Musliu me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

E gjitha filloi kur opozita serbe filloi t’i thoshte Vuçiç-it se ai përngjan aq shumë në gazetarin Musliu dhe meqë për një kohë ai ka punuar në Beograd, Vuçiç është djali i një shqiptari.

Meqë është fushatë zgjedhore në Beograd, Vuçiç përdori këto sulme për t’u viktimizuar dhe doli me babanë e tij në një video ku thoshte se po sulmohet familja e tij dhe rrjedhimisht gjithë familjet serbe.

Blerim Vela e shlyen cicërimën e turpshme – ndërlidhi gazetarin Musliu me Vuçiç’in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore