
Ka ndërruar jetë profesori, poeti dhe dramaturgu Xhevdet Bajraj. Këtë e ka bërë të ditur vëllai i tij, Fadil Bajraj përmes një njoftimi në rrjetin e tij social Facebook.
“Njoftim mortor: sot pas një sëmundje të shkurtër ndërroi jetë vëllai im Xhevdet Bajraj. Për datën e varrimit ju lajmërojmë në ditët në vijim”. – ka shkruar ai.
Xhevdet Bajraj ishte ndër poetët më të shquar në Kosovë.
Ai ishte autor i më shumë se 25 vëllimeve poetike, të cilat janë të përkthyera në shumë gjuhë. Në anglisht, gjermanisht, spanjollisht, serbisht, sllovenisht, hungarisht, turqisht dhe polonisht.
Bajraj ka qenë qenë fitues i shumë çmimeve dhe nderimeve, ndër to edhe çmimin për librin më të mirë me poezi si në vitin 1993 ashtu edhe në vitin 2000, çmim ky i dhënë nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës;
Po ashtu, ai fitoi edhe çmimin ndërkombëtar “Goliardos” për poezinë në 2004; çmimin Katarina Josipi në vitin 2010 për dramën më të mirë të shkruar në shqip; çmimin e parë në Festivalin e Monodramës, në Vlorë, Shqipëri në 2013; dhe çmimin për librin më të mirë me poezi në vitin 2015.
Në maj të vitit 1999, Bajraj dhe familja e tij u dëbuan nga Kosova. Nëpërmjet Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve dhe programit të tyre për shkrimtarët e përndjekur, atij iu dha azil dhe një bursë në Casa Refugio Citlaltépetl në Meksikë.
Në vitet që pasuan, ai është bërë profesor i rregullt i krijimtarisë letrare në Universitetin Autonom të qytetit të Meksikos dhe është futur në Sistema Nacional de Creadores de Arte.
Xhevdet Bajraj la një trashëgimi shumë të vlerësuar letrare dhe artistike.
/Albanianpost.com