Lajme

Vdes në mënyrë misterioze drejtori i vendpushimit të Putin-it


Vdekja tragjike në Sochi e drejtorit të përgjithshëm 37-vjeçar të resortit “Krasnaya Polyana”, Andrei Krukovsky ka ngritur dyshimet e para.

Ajo mund të lidhet edhe me një përpjekje për të fshehur gjendjen shëndetësore të presidentit rus Vladimir Putin.

Të paktën kështu deklaron në “Apostrophe TV”, ish-politikani, avokati dhe gazetari rus Mark Feygin.

“Dje u njoftua se kreu i këtij vendpushimi vdiq papritur në moshën 37 vjeç, duke rënë nga një shkëmb”, tregon fillimisht ish-politikani rus.

Një burim i agjencisë ruse të lajmeve Interfax raportoi se Krukovsky ra nga një shkëmb gjatë një zbritje malore pranë kalasë Pslukh.

Ai u dërgua në spital, por vdiq nga plagët e marra të dielën në mëngjes.

Feygin solli në vëmendje më tej një hetim nga gazetari rus Roman Bodanin – i botimit investigativ “Proekt” – i cili tregoi se gjatë qëndrimit në Sochi, Putin shoqërohej edhe nga një onkolog.

“Putini është vërtet i sëmurë me një lloj sëmundjeje, ne u bindëm për këtë nga provat rrethanore, si dhe nga hetimi i Bodanin dhe publikimi i Proekt-it”, shtoi Feygin.

Sipas tij, edhe pse mund të mos kenë lidhje ngjarjet, “ka një lloj sekuence interesante” mes tyre.

Në hetimin e “Proekt-it” u zbulua se kur Putin-i vizitoi Sochi-n vitet e fundit, tre mjekë qëndronin me të në të njëjtën kohë – otolaringologët Alexei Shcheglov, Igor Esakov dhe kirurgu onkolog Yevgeny Selivanov.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore