Lajme

Vdes në burg John McAfee, krijuesi i anti-virusit


John McAfee, krijues i anti-virusit McAfee

Sipërmarrësi në fushën e anti-viruseve kompjuterike dhe krijuesi i një prej të parëve prej tyre, John McAfee, është gjetur i vdekur brenda një qelie burgu në Barcelonë, vetëm disa orë pasi Gjykata spanjolle ra dakord mbi ekstradimin e tij drejt SHBA-ve për evazion taksash.

Sipas autoriteteve të burgut, ekipi i shpëtimit u përpoq ta risillte në jetë, por ishte e pamundur.

Të dhënat e para të drejtojnë për nga pista e vetëvrasjes.

Një figurë e kontestuar në botën e teknologjisë, McAfee hodhi në treg anti-virusin e parë për kompjuterë.

Ai ngriti si pionier në këtë fushë, një industri që sot vlen miliarda dollarë. Kompaninë e tij, ja pati shitur gjigandëve të teknologjisë, Intel, për mbi 7.6 miliardë dollarë.

Në tetor të vitit 2020, McAfee u arrestua në Spanjë, pak çaste përpara hipjes mbi një avion me vendmbërritje Turqinë.

Akuza e ngritur ishte ajo e mos pagimit të taksave për katër vjet. Kjo, pavarësisht fitimit të miliona dollarëve të fituara në konsultime, trajnime, kriptovaluta apo libra të shkruar.

Ai gjithashtu u akuzua për fshehje pasurishë. Ndër to, disa asete, si për shembull një jaht, prona private apo pasuri në emër të të tjerëve.

Gjykata Kombëtare në Spanjë, e pati autorizuar ekstradimin e tij të mërkurën e 23 qershorit.

Gjatë kohëve të fundit, McAfee ka shfaqur në publik shpesh shqetësimin se ndaj tij, ka pasur një komplot dashakeqës. Por, Gjykata spanjolle, doli në përfundimin se “nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar se ai po ndiqej për arsye politike apo ideologjike”.

Ai ishte 74 vjeç dhe pavarësisht gjithçkaje, do të kujtohet si një figurë e rëndësishme e zhvillimeve teknologjike të viteve 1980-1990.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore