Libra

Vdes Dubravka Ugreshiç, shkrimtarja e famshme kroate


Dubravka Ugreshiç

Në kryeqytetin holandez, Amsterdam këtë të premte në moshën 73 vjeçare, ka ndërruar jetë shkrimtarja e mirënjohur kroate, Dubravka Ugreshiç.

Dubravka Ugreshiç, gjatë jetës së saj ka qenë një shkrimtare dhe shkencëtare e respektuar në botën akademike dhe jo vetëm.

Veprimtaria e saj është mjaft e bujshme, ajo është autore e një numri të madh veprash, ndër të cilat, “Stefica Cvek në nofullat e jetës”, “Jeta është një përrallë”, “Duke detyruar romanin-lumin”, “Fiksionistja amerikane”, “Kultura e gënjeshtrës”.

Po ashtu, një nga veprat e saj, “Baba Jaga la një vezë”, është e përkthyer në më shumë se 20 gjuhë.

Ajo mori çmimin NIN në vitin 1988 për romanin “Duke detyruar romanin e lumit”, dhe ishte femra e parë që e fiton këtë çmim.

Ajo gjithashtu mori Çmimin Kombëtar Austriak për Letërsinë Evropiane në 1998, dhe ishte finaliste për Çmimin Ndërkombëtar Man Booker në 2009.

Në vitin 2016, ajo u nderua me çmimin letrar slloven Vilenica dhe Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë, një nga çmimet kryesore amerikane për letërsinë.

Dubravaka Ugreshiç, kishte lindur në rajonin e Sisakut pranë Zagrebit. Kishte studiuar letërsi ruse dhe letërsi krahasimtare në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit. Ndërsa, për 20 vite radhazi kishte qenë punonjëse e Institutit të atij Fakulteti.

Dubravka Ugreshiç

Ndërkaq, ajo në kohën kur në ish-Jugosllavi po vlonin tensionet ndëretnike, në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, Ugreshiç kishte pasur guximin që të prononcohej publikisht kundër çfarëdo nacionalizmi ekstrem të proklamuar nga popujt përbërës në Jugosllavi, dhe po ashtu ajo do të kundërshtonte çdo luftë dhe dhunë ndëretnike, të cilat i kishte përmbledhur në veprën e saj “Kulturë gënjeshtrash”.

Mirëpo, qëndrimet e saj kishin hasur në kundërshtime tek ballkanasit që rrallë herë apo kurrë nuk e pranojnë kritikën.

Ndërsa në vitin 1993, ajo përfundimisht ishte larguar nga Kroacia dhe pas disa zhvendosjeve në vende të ndryshme të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfundimisht ishte vendosur në Holandë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore