Lajme

Vdekje e dyshimtë në Kamenicë e rrahje masive në një lokal në Gjilan


Ilustrim

Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur të shtunën në Kamenicë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur në fshatin Shipashnicë të Epërme të kësaj komune, kur një vozitës mashkull kosovar ka humbur kontrollin ndaj veturës, duke u përplasur në murin e një shtëpie.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Ndërkaq në një lokal në Gjilan ka ndodhur një rrahje masive mes disa personave.

“Po ka pas një rrahje në mes disa personave në një lokal pas një mosmarrëveshje që kanë pas në mes vete, të dyshimtit janë intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të shtetit rasti procedohet në procedurë të rregullt në gjykatë”, tha Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, Ismet Hashani për Albanian Post.

Ndërsa dy viktima femra kanë raportuar në polici se deri sa ishin duke udhëtuar me një autobus në Fushë Kosovë, një mashkull i ka ngacmuar seksualisht.

Një person është arrestuar në Pejë për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Sipas organeve të rendit, i dyshuari derisa ishte duke lëvizur me veturë, gjuan me armë nga dritarja.

“Njësiti policor ka arritur ta ndalojë veturën dhe nga i dyshuari ka konfiskuar një pistoletë me gas të kalibrit 9 mm dhe një karikatorë të zbrazët si dhe ne vendin e ngjarjes janë konfiskuar edhe dy gëzhoja. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportorin 24-orësh të policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore