Përballje

Vazhdon lufta për titull, Tirana e Partizani nuk gabojnë


Lufta për titull kampion në Superligën e Shqipërisë do të vazhdojë, kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i kampionatit.

Java e 34-të u zhvillua sot (e diele, 21 maj), ku nuk gabuan rivalët për titull, duke shënuar fiotre.

Lideri i tabelës, Tirana, shënoi fitore të lehtë në udhëtim te Laçi me rezultat 1:3.

Bardhekaltrit e hapën sfidën në minutën e 18-të me golin e shënuar nga Florent Hasani.

Ardit Hila u përkujdes për dy golat e radhës të Tiranës në minutat 67 dhe 72 për të siguruar tre pikët që marshojnë drejt titullit kampion.

Ndërsa vendasit arritën ta shënojnë golin e nderit në minutat shtesë me anë të Saliou Guindo.

Me këtë fitore, Tirana vazhdon ta mbajë diferencën prej dy pikësh me ndjekësin më të afërt, Partizanin, ndërsa me këtë humbje, Laçi ka 44 pikë në vendin e gjashtë në tabelë.

Ndërkohë, fitore shënoi edhe Partizani, të cilët e mposhtën në udhëtim Vllazninë me rezultat 2:1.

Arinaldo Rrapaj dhe Eljon Sota i dhanë epërsinë “demave” në pjesën e parë, ndërkohë që ata nuk e patën të lehtë fitoren, pasi që në fillim të pjesës së dytë, Bekim Balaj ngushtoi diferencat.

Megjithatë, Partizani arriti ta ruante epërsinë deri në fund, kështu duke mos u dorëzuar në garëtn për titull, teksa vazhdon ta ndjekë Tiranën me dy pikë më pak.

Në anën tjetër, Vllaznia ngelet në pozitën e katërt me 46 pikë, gjashtë më pak se Egnatia e vendit të tretë.

Në ndeshjen tjetër, Egnatia bëri një hap të madh në historinë e saj, duke u kualifikuar për herë të parë në garat evropiane.

Egnatia shënoi fitore 3:2 ndaj Erzenit dhe do të luajë në Ligën e Konferencës në sezonin e ardhshëm.

Në ndeshjen tjetër, Teuta iu fal golit të shpejtë të Ledio Beqjes për ta mposhtur 1:0 Kastriotin dhe për të parakaluar Laçin në renditje.

Ndërsa dueli tjetër mes Bylisit dhe Kukësit u mbyll me rezultat 1:1.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore