Sport

Vazhdon Liga e Evropës me gjysmëfinalet e para


Liga e Evropës ka ardhur me një fazë shumë të rëndësishme, ku sonte (e enjte) do të zhvillohen dy ndeshjet gjysmëfinale.

Sikurse në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, edhe në Europa Leauge janë kualifikuar dy ekipe italiane, të cilat sonte do të jenë vendas.

Juventus-i do të përballet me rekordmenët e kësaj gare, Sevilla-n, ndeshje që do të filojë në ora 21:00 në “Allianz Stadium”.

Italianët vijnë në këtë ndeshje pas një forme relativisht të mirë, të cilët i kanë fituar dy ndeshjet e fundit, por janë eliminuar nga Inter-i në gjysmëfinale të Kupës së Italisë dhe kanë humbur me Napolin e kanë barazuar me Bologna-n në Serie A.

Ndërsa, sa i përket Sevilla-s, Liga e EVropës solli një kthesë të madhe për ta.

“Andaluzianët” e eliminuan Manchester United-in në çerekfinale falë një rikthimi fantastik, pasi që ndeshjen e parë në “Old Traford” ishin duke e humbur me rezultat 2:0 deri në minutën e 84-të, pastaj e barazuan, ndërsa në ndeshjen e kthimit shënuan fitore 3:0.

Para këtyre përballjeve, Sevilla kishte një formë shumë të dobët në La Liga, madje rrezikonte të binte nga elita e futbollit spanjoll.

Ndeshja tjetër gjysmëfinale do të jetë ajo mes Romës dhe Bayer Leverkusen-it.

Roma nuk po kalon momente aq të mira, të cilët në pesë ndeshjet e para e kanë fituar vetëm një (ndeshjen e kthimit ndaj Feyenoord-it).

Ndërkohë, Leverkusen në pesë ndeshjet e fundit e ka humbur vetëm një, duke fituar e barazuar dy herë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore