Gjykata Speciale

Vazhdon gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së


Ilustrim

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës. Gjyqi që nisi para një viti në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – do të vazhdojë këtë të mërkurë (28 shkurt).

Gjyqi në Hagë pritet të nis në ora 09:00 të mërkurën, ndërsa dëshmia e dëshmitarit të radhës do të dëgjohet përmes video-lidhjes. Nuk dihet nëse seanca e paraparë për 28 shkurt do të jetë e hapur për publikun. Për javën e fundit të muajit shkur ishin paraparë të mbaheshin tri seanca gjyqësore, mirëpo seanca e së martës (27 shkurt) u shty për një ditë më vonë.

Nga mbi 300 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS), në çështjen gjyqësore ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, deri tani janë dëgjuar 47 dëshmitarë – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – ndërsa të mërkurën pritet të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të 48-të në rastin ‘Thaçi dhe të tjerët’.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale për vrasje, torturë e trajtim mizor, në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999. Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore