Gjykata Speciale

Vazhdon gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së


Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykimi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të vazhdojë të enjten.

Kjo pasi seancat për dy javët e ardhshme ishin anuluar në rastin e tyre, lajmin e kishin bërë të ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ku ishte thënë se gjykimi do të vazhdojë me 22 prill, por që në kalendar figuron që të njëjtat do të vazhdojnë gjatë ditës së sotme. 

Ndërsa, seancat që ishin mbajtur të fundit ku kishte dëshmuar dëshmitari i 54-të kishin qenë të mbyllura.

Por, para mbylljes së seancës, të mërkurën avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, kishte kërkuar leje nga trupi gjykues që një jurist i tyre i cili nuk ishte bashkëmbrojtës, të bëjë pyetje për dëshmitarin.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III u përgjigj se, “për ata nuk ka ndonjë pengesë dhe se juristi mund të bëjë pyetje”.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson të mërkurën kishte vazhduar intervistimin e ish-shefit të misionit vëzhgues diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Shaun Byrnes, i cili dëshmoi për herë të pestë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore