Gjykata Speciale

Vazhdon deklarata në seancë të mbyllur në rastin e Pjetër Shalës


Pjetër Shala.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur seanca ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës.

Intervistimi është duke vazhduar në seancë të mbyllur, me intervistimin e dëshmitarit siç ka ndodhur edhe në seancat e kaluara.

Por, nga trupi gjykues është deklaruar se pasi të mbarojë kjo dëshmi do të transkriptohet dhe do të publikohet pas rishikimit.

Mbrojtja e Shalës, përmes një parashtrese ka kërkuar nga Paneli i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, që klientit të tyre t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Po ashtu, sipas mbrojtjes, Shala përsërit gatishmërinë e tij për t’u angazhuar dhe për të dhënë çdo garanci që konsiderohet e përshtatshme për të qëndruar në shtëpinë e tij, për të mos ndryshuar vendbanimin e tij, për të dorëzuar pasaportën dhe dokumentet e tjera të udhëtimit, për të raportuar çdo ditë në policinë belge ose autoritete të tjera të rëndësishme.

T’i nënshtrohet monitorimit të ngushtë nga autoritetet, të paraqitet dhe të kthehet në gjykatë sa herë që urdhërohet për ta bërë këtë, dhe t’i nënshtrohet çdo kushti tjetër që konsiderohet i përshtatshëm dhe i urdhëruar nga Paneli.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

Ndryshe gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore