Vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të dytë në rastin Gucati-Haradinaj në Speciale

SHFLETO

Dëshmitari i dytë në rastin Gucati-Haradinaj, gazetari Halil Berisha në Gjykatën Speciale

 

Dreni Himbeqa
27.10.2021 10:29
Loading Icons...

Gjatë ditës së mërkure po vazhdon seanca e gjykimit të ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në Gjykatën Speciale ku po dëgjohet dëshmitari i dytë, ish-gazetari i gazetës “Infokus”, Halil Berisha.

Dëshmitari Berisha, dëshminë e tij e ka nisur të martën, pas përfundimit të dëshmisë së Koordinatores së hetimit në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), Zdenka Pumper, e cila ishte dëshmitarja e parë në këtë rast dhe dëshmojë për gjashtë ditë.

Dëshmitari i dytë gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se ai ishte obliguar të shkojë për të dëshmuar edhe pse nuk është i lumtur për këtë fakt.

“Kjo assesi nuk do ta pengojë faktin që unë do ta them vetëm të vërtetën. Megjithatë, unë këtu jam sepse më keni obliguar. Përndryshe, nuk jam shumë i lumtur që gjendem këtu”, tha Berisha para trupit gjykues.

Berisha e ka pranuar që i ka marrë disa dokumente nga objekti i OVL-UÇK-së.

“Numri i dokumenteve ishte goxha i madh dhe nuk kishte mundësi që nuk e kam ditur saktë se çfarë kishte në to. Nuk kishte pasur mundësi të xhirohen krejt dhe kështu e kam kërkuar një pjesë të dokumenteve”.

“Isha aty afër bashkë me të gjithë gazetarët dhe aty veç kam pyetur se a mund t’i marr një pjesë të dokumenteve. Mendoj që diku rreth 1 mijë faqe ndoshta”, shtoi gazetari Berisha.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj në Gjykatën Speciale

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Seanca e parë e gjykimit të ish-krerëve të OVL-UÇK-së kishe filluar me 7 tetor të këtij viti.