Lajme

Vazhdon aksioni “Brezovica”, bastisen disa lokacione


Policia e Kosovës.

Të mërkurën e 16 marsit, ka vazhduar aksioni “Brezovica 3”, nga i cili janë duke u kontrolluar disa lokacione në rrethinë të Shtërpcës.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar prokurori i çështjes Rasim Maloku.

“Për momentin s’mund të japin më shumë informacione veç asaj që është duke vazhduar aksioni Brezovica 3 dhe janë duke u kontrolluar disa lokacione në rrethinë të Shtërpcës dhe lokacione nëpër fshatra”, ka thënë Maloku për AP.

Edhe, të enjten e tre marsit, kishte pasur aksioni për të njëjtin rast, nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e Brezovicës.

Këtë e pati bërë të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj përmes një komunikate për media, ku mes tjerash kishte njoftuar se janë bastisur 12 lokacione të ndryshme në katër qytete, përkatësisht, Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

Njëri nga aksionet “Brezovica”.

“Deri më tani janë arrestuar shtatë persona, tre prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit”, thuhej në komunikatë.

Që në dhjetorin e vitit të kaluar, Policia e Kosovës se bashku me Prokurorinë Themelore të Ferizajt kanë nisur aksionin “Brezovica”, ku deri tani nën pranga janë vënë rreth 30 persona, përfshirë këtu ish kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç, zyrtarë tjerë të kësaj komune, e po ashtu zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës,  nën pranga u vënë edhe pronar të kompanive të ndryshme ndërtimore.

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se personat që janë arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.

Aksioni “Brezovica” kishte filluar saktësisht me 21 dhjetor të vitit 2021, ku nga aksioni i parë rezultuan të arrestuar 10 persona.

Pas aksionit të 21 dhjetorit, Policia vazhdoi aksionin “Brezovicës” më datën 6 janar.

Gjatë operacionit të 6 janarit u arrestuan edhe 10 persona, ndërkaq në pranga si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit kanë përfunduar ish-sekretari i Ministrisë së Ambientit, Arben Çitaku dhe Bedri Halimi, kryeinspektor në këtë ministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore