Lajme

Vatra, Qeverisë së Kosovës: Zbatoni menjëherë kërkesat e ShBA-ve


Kryetari i shoqates pan-shqiptare "Vatra", Elmi Berisha

Kryetari i shoqatës pan-shqiptare “Vatra”, Elmi Berisha, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka thënë se Kosova duhet t’i zbatojë kërkesat që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak se siç thotë ai Kosova nuk ka ndonjë aleat më të mirë se ShBA-të, duke shtuar se po e ndjekë me shqetësim situatën e krijuar në Veri.

“Qeveria e Kosovës, kryeministri, presidentja, parlamenti dhe institucionet në përgjithësi, duhet ta kenë të qartë se mendimet, qëndrimet që vijnë nga Uashingtoni zyrtar duhet të respektohen në tërësi. Ua rikujtoj edhe shqiptaro-amerikanëve por edhe qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë në vendet e origjinës se nuk kemi asnjë mik më të mirë në botë sesa popullin amerikan dhe qeverinë amerikane”, ka thënë ai.

Pas veprimeve të qeverisë së Kosovës, ku vendosi që Policia t’i asistojë për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, duke shkaktuar përplasje me serbët lokalë – të cilët ushtruan dhunë ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve – ShBA-të reaguan ashpër për ta kundërshtuar këtë vendim të qeverisë, madje vënë në pikëpyetje edhe marrëdhëniet në mes të dy vendeve.

Mirëpo, kryetari i shoqatës pan-shqiptare “Vatra”, shprehet i bindur se kjo situatë e krijuar në mes të dy vendeve “është e përkohshme”, duke shtuar se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe ShBA-së “nuk do të dëmtohen.

Logoja e shoqates pan-shqiptare “Vatra”

Berisha vlerëson se Kosova duhet të nisë menjëherë zbatimin e kërkesave të Uashingtonit zyrtar, përfshirë këtu Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Asociacioni duhet të ndodhë, por asnjëherë që të drejtat e serbëve të vijnë në nivelin e vetëqeverisjes, ose qeverisjes, apo të drejtës për kushtëzim apo destabilizim të shtetit të ri të Kosovës”, mendon ai.

Kosova duhet të ketë besim në ShBA-të, thotë ai, pasi që potencon se ata nuk do t’i kërkonin Prishtinës diçka që do të ishte në dëm të vetë shtetësisë së saj.

“Asnjëherë nuk do të gabojë me Kosovën sepse është krijuar nga Amerika, është fëmija i Shteteve të Bashkuara. Nuk është vetëm Kosova, por edhe Shqipëria. 110 vite më parë Amerika formoi Shqipërinë, 110 vite më vonë e formoi edhe Kosovën. Prandaj, kjo nuk është dilema që shqiptarët duhet ta kenë”, beson ai.

Veprimtari shqiptaro-amerikan ka kritika për ndërkombëtarët, pasi që pohon se njëjtë si të dërguarit e ShBA-së dhe ata evropianë për Ballkanin Perëndimor, në vend se t’i bëjnë presion Kosovës, siç thotë ai duhet të jenë shumë më të ashpër me Serbinë.

“Ndërkombëtarët nuk kanë qenë të drejtë dhe të barabartë gjatë dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk jemi shumë të lumtur me emisarët që po vardisen në Beograd, Prishtinë, Bruksel dhe Departament të Shtetit. Ne mendojmë që agresori, bota e di se është Serbia dhe Beogradi zyrtar”, shtoi ai

Për dhunën e shkaktuar në Veri të Kosovës, Berisha thotë se përgjegjës janë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe ministri i Punëve të Jashtme serbe, Ivica Daçiç. Duke pasur parasysh këtë ai shprehet i zhgënjyer me reagimin e ndërkombëtarëve për mos reagimet ndaj udhëheqësve të Serbisë.

“Të gjitha protestat dhe zhvillimet në këto muajt dhe javët e fundit nuk janë të orkestruara nga qytetarët serbë, por janë organizatat kriminale që vijnë të përgatitura dhe të orkestruara shumë mirë nga Presidenti i Serbisë Vuçiç dhe ministri i Punëve të Jashtme Daçiç. Është për të të ardhur keq se bashkësia ndërkombëtare ende nuk e ka një qëndrim të fuqishëm drejt Beogradit zyrtar dhe nuk e ka vendosur në pozicionin ku duhet të jetë Serbia”, vlerëson Berisha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore