Varroset Faton Hajrizi
Valon Rashiti
11.08.2024 16:01Ka përfunduar ceremonia e varrimit të Faton Hajrizit i cili u vra më 19 korrik në Lloznicë të Serbisë. Ai u varros në vendlindjen e tij në Klinë e Ulët të Skenderajt, ku morën pjesë qindra qytetarë.
Trupi i pajetë i Hajrizit u soll nga Serbia në Kosovë mëngjesin e së premtes. Po atë ditë, u identifikua nga familjarët e tij dhe iu bë autopsia.
Hajrizi u vra në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës. Një ditë më herët, ai dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër.
Hajrizi qe arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka nisur procedurat displinore ndaj tre zyrtarëve për rastin e arratisjes së Hajrizit nga Qendra Korrektues e Smrekonicës, ka treguar për Albanian Post, Florent Gashi, zëdhënës i SHKK-së.
“Në procedurë disiplinore për këtë rast janë tre (3) zyrtarë përfshirë një mbikëqyrës”, thuhet në përgjigjen e Gashit, i cili sqaroi për AP se hetimet po vazhdojnë.
Për çka ishte dënuar Hajrizi?
Hajrizi u dënua fillimisht për vrasjen e një ushtari rus kur ishte 15 vjeç, dhe gjithashtu për disa vepra të tjera penale.
Ai u dënua për një rast të tentim-vrasje, tri raste të vjedhjeve kryesisht të pjesëve të veturave dhe dy raste të keqpërdorimit të veturave (shfrytëzim pa leje të tyre).
Më 24 janar të 2008-së, vendimi i dytë gjyqësorë për Faton Hajrizin ishte marrë nga Gjykata e atëhershme e Qakut në Mitrovicë.
Ai u dënua për dy vepra të grabitjes së armatosur që sipas gjykatës i bëri në bashkëpunim me dikë tjetër në vitin 2006 në Skenderaj.
Ndërsa në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Hajrizin për vrasjen në tentativë.
Çka thanë krerët e shtetit për rastin e Hajrizit?
Më 24 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte bërë kërkesë ndaj qytetarëve që Faton Hajrizi të mos heroizohet dhe se nuk duhet të bien pre e euforisë së romantizmit të tij.
“I ftoj qytetarët të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku, që u vra në Banjë të Zveçanit. Heronj janë 23 pjesëtarët e Policisë të rënë në krye të detyrës që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë”, ka thënë kryeministri.
Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, kishte deklaruar më 19 korrik se Faton Hajrizi për Kosovën është “kriminel”
“Për Kosovën, personi që ka ikur është person i dënuar për vepra penale, është kriminel dhe vendin e ka prapa grilave. Në sytë e Kosovës ai është kriminel dhe në narrativen kosovare krimineli e ka vendin në burg”.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pretendoi se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës i ka nxitur Serbia për çka më pas edhe u intervistua nga Prokuroria Speciale.