Lajme

Varhelji: Takimi i sotëm dërgon një sinjal të fortë të përkushtimit të BE-së për anëtarësimin e Serbisë


Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Oliver Varhei

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Oliver Varhei, ka thënë në Bruksel se takimi i të martës së 25 janarit i Këshillit të Stabilizim-Asociimit, Serbi-BE, dërgon një sinjal të fortë dhe intensifikuar politik të përkushtimit të Brukselit për pranimin e Serbisë nga njëra anë dhe angazhimit të Beogradit për në BE nga ana tjetër.

Pas takimit të gjashtë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, Serbi-BE, të kryesuar nga ministri i Jashtëm evropian Josep Borelj dhe kryeministrja serbe Ana Brnabiç, Varhelji  në rrjetin social Twitter ka shkruar se “fokusi tani duhet të jetë në dy detyra”.

“Së pari, pas rezultatit pozitiv të referendumit (për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë), reforma kushtetuese duhet të zbatohet edhe në terren”.

“E dyta është progresi në negociatat e anëtarësimit: vitin e kaluar, Komisioni Evropian vlerësoi se grupi i tretë, për konkurrencën, ishte gati për hapje dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të përparojmë deri në fund të presidencës franceze (Unioni, 30 qershor 2022), ka shkruar Varhelji.

 

Brnabic me Michel dhe von der Layen në rrugën evropiane të Serbisë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, në Bruksel ka biseduar ndaras me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian për vazhdimin e integrimeve evropiane.

Brnabiç ka shkruar në rrjetin social Twitter se ka biseduar me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, për rëndësinë e referendumit të fundit për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të arritur një pavarësi më të madhe të gjyqësorit në vend.

Ndërsa Charles Michel gjithashtu ka shkruar në Twitter se ka biseduar me Brnabiç për të ardhmen e marrëdhënieve BE-Serbi.

“BE mirëpret përpjekjet për reforma, si dhe rezultatet e referendumit (për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë), të mbajtur më 16 janar”.

“BE-ja mbetet partneri kryesor i Serbisë për prosperitet në rajon. Së bashku jemi më të fortë”, ka shkruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore