Shqipëria

Varësia nga mediat sociale – ‘rritje e ankthit dhe depresionit’


Në vitin 2015, shkencëtarët nga Washintong DC arritën në përfundimin se rrjetet sociale më shumë e nxisin stresin sesa na lehtësojnë prej tij.

Po ashtu, në një studim mbi grup-moshën mbi 13 vjeç, publikuar nga “The Lancet Child & Adolescent Health” (Shëndeti i Fëmijëve dhe Adoleshentëve), thuhet se “rrjetet sociale shkaktojnë probleme mendore dhe më shumë të prekura janë femrat”.

Shenjat, sipas studimit, janë “depresioni, ankthi deri në pagjumësi, stresi kronik dhe mungesa e vetëbesimit”.

Për Albanian Post, studentja Gentiana Lala thotë se “e kam të pamundur të mos kontrolloj telefonin herë pas here. Ndonjëherë më duket si një sëmundje, që na ka pushtuar pa e kuptuar”.

Edhe psikologia Valentina Telhaj pohon se “rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandarë në përditshmërinë e gjithsecilit”.

Ajo ngre alarmin mbi ndikimin e rrjeteve sociale në shëndetin mendor.

Sipas një studimi të fundit të publikuar në të përditshmen britanike “BBC”, rreth 3 miliardë njerëz kontrollojnë telefonin të paktën 30 herë në ditë.

“Rreth gjysmë milionë njerëz”, shkruan “BBC”, “shkëmbejnë mesazhe dhe dërgojnë foto çdo minutë”.

Nga ana tjetër, sociologu Gëzim Tushi, përpos ndikimit në shëndetin mendor, thotë se përdorimi i rrjeteve sociale ka çuar në modifikimin e komunikimit personal.

“Të mësuarit apo varësia ndaj miqve virtualë, mund të zëvendësojë nevojën për të komunikuar më të tjerët. Raportet ndërpersonale po zëvendësohen me ato miqësore në internet”, ravijëzon Tushi për Albanian Post.

“Krizë e identitetit të individit”

Psikologia Telhaj thotë se ndryshimet dhe zhvillimet sociale, të cilat kanë ndodhur së fundi, kanë bërë që shkenca, teknologjia dhe informatika të arrijnë në piedestalet më të larta të shoqërisë.

Kohë pas kohe, vihet re një qasje e individëve në rrjetet sociale, aq sa “minojnë fuqishëm identitetin e vërtetë të individit”, thekson psikologia për Albanian Post.

“Përdorimi gjithnjë e më i përhapur i mediave sociale për të promovuar veten në internet është bashkëpunëtor në depersonaliziminin e qenies njerëzore”.

Më tej, ajo shpjegon se “duke iu referuar rasteve të krimit, të marrëdhënieve seksuale në moshë të hershme, apo komunikimit me njerëzit, gjithçka vjen si pasojë e dyzimit të personalitetit – rezultat i rrjeteve sociale”.

Psikologia thekson se dyzimi i personalitetit mund të krijohet edhe përmes fotove, pasi ato qëndrojnë në kontradiktë me realitetin.

Telhaj thotë se: “Studime të shumta janë përqendruar në varësinë nga interneti dhe kanë theksuar se përdorimi i rrjetit mund të shkaktojë varësi psikologjike dhe të zhvillojë çrregullime psikopatologjike (Mannino, et al., 2017). Ivan Goldberg, në 1996, shpiku termin ‘Çrregullim të Varësisë në Internet’ dhe propozoi futjen e tij në DSM duke treguar kriteret diagnostike të dobishme për njohjen”.

Varësia nga mediat sociale – “keqmodelim te të rinjtë”

Sipas psikologes, personat të cilët kanë varësi nga mediat sociale shfaqin perfeksionizëm patologjik, vetëvlerësim të ulët dhe nivele të larta të ankthi e depresionit.

“Qenia njerëzore, përmes mediave sociale”, thotë ajo, “bëhet e depersonalizuar – në mënyrë që të mos shfaqet siç është dhe të mos tregojë personalitetin e tij të vërtetë”.

Në këtë mënyrë, përmbyll Telhaj, ne nuk kemi vetvetja.

“Kur ne hulumtojmë në mediat sociale nuk mund të kuptohemi vërtet apo të shprehemi për atë që jemi. Kjo ndikon edhe në keqmodelimin e të rinjve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore