Sport

Varane mund të mungojë në Kupën e Botës


Qendërmbrojtësi francez, Raphael Varane, është dëmtuar dhe nuk do të jetë i disponueshëm për ekipin e tij, Manchester United, deri pas Kupës së Botës.

Lajmin e ka konfirmuar vetë trajneri i “djajve të kuq” Erik Ten Hag, i cili tha se Varane është dëmtuar në ndeshjen ndaj Chelsea-t.

“Varane nuk është në skuadër. Ai do të jetë jashtë deri në Kupën e Botës,” konfirmoi trajneri i United.

I pyetur nëse ai do të jetë i disponueshëm për Kupën e Botës, e cila do të fillojë në Katar më 20 nëntor, Ten Hag tha: “Duhet të shohim se si do të zhvillohet dhe si do të shkojë rehabilitimi i tij”.

Varane ishte lënduar në minutën e 60-të të ndeshjes që Manchester United barazoi në udhëtim te Chelsea me rezultat 1:1, teksa ishte në një duel me Pierre-Emerick Aubameyang.

Ndërkohë, në këtë ndeshje nuk ishte i pranishëm Cristiano Ronaldo, i cili ishte përjashtuar pas gjestit që bëri në ndeshjen paraprake, duke refuzuar të futej në lojë në minutat e fundit ndaj Tottenham-it dhe më pas u largua drejt dhomave të zhveshjes para se të përfundonte takimi.

Ronaldo më vonë kishte kërkuar falje për këtë veprim, i cili ka thënë se ishte i nxehur në atë moment.

Megjithatë, portugezi u kthye në stërvitje këtë të marte, derisa do të jetë i disponueshëm në ndeshjen e radhës që United do ta luajë në Ligën e Evropës përballë Sheriff Tiraspol-it.

“Unë mendoj se ne thamë gjithçka dhe iu përgjigjëm të gjitha pyetjeve. Ai ishte jashtë për një ndeshje dhe tani ai është kthyer”, tha Ten Hag kur u pyet për Ronaldo-n.

Kujtojmë që portugezi nuk po kalon momente aq të mira me ekipin e tij. Gjatë verës ai kishte kërkuar ndonjë klub për të luajtur në Ligën e Kampionëve, por shumë prej tyre e refuzuan.

Ndërkaq, sa i përket sezonit aktual, ai ka luajtur vetëm në tri ndeshje si titullar me Manchester-in në Premier Leauge, ku ka shënuar një gol, ndërsa edhe një tjetër e ka gjetur në Ligën e Evropës, pikërisht ndaj skuadrës Sheriff që do të përballet edhe këtë të enjte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore