Vapa ekstreme në Gaza, makthi i jetës në tenda

SHFLETO
Sadiola Xhelili
21.06.2024 21:45
Loading Icons...

Në zemër të Rripit të Gazës, shumë familje po jetojnë në tenda pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan nga bombardimet izraelite dhe vala e të nxehtit të verës po shton një shtresë tjetër vuajtjeje në jetën e tyre të përditshme.

Vera në Gaza karakterizohet gjithmonë nga temperatura dhe lagështia e lartë, ndonjëherë duke arritur deri në 40 gradë Celsius ose më shumë.

Dhe në shtretërit e improvizuar të bërë shpesh me materiale të thjeshta si plastika dhe pëlhura, temperatura arrin nivele të padurueshme.

Agjencia UNRWA e OKB-së deri më tani ka njoftuar se të paktën dy fëmijë kanë vdekur nga vapa, por mund të ketë edhe më shumë.

Jetesa në qytetet e çadrave është bërë alternativa e vetme e mundshme për shumëkënd, sepse çmimet e qirave janë të papërballueshme, flasim deri në 3 mijë dollarë në muaj.

Të shpërngulurit, të cilët varen nga ndihma humanitare, vuajnë nga gjithçka, nga mungesa e shërbimeve shëndetësore, ujit të pijshëm, nevojave elementare, ushqimit dhe ilaçeve, të ekspozuar ndaj rrezikut të epidemive.

Uji i ndenjur dhe insektet përkeqësojnë gjendjen e tyre tashmë të pasigurt shëndetësore.

“Ne marrim ujë çdo disa ditë, në këtë vapë intensive kemi nevojë për më shumë”, ka treguar Ebu Jusuf, babai i pesë fëmijëve.

Kujdesi mjekësor është jashtëzakonisht i kufizuar dhe aksesi në barna dhe shërbimet shëndetësore bazë është i vështirë.

Ruajtja e higjienës personale është gjithashtu jashtëzakonisht komplekse dhe kjo rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjeve: infeksionet e lëkurës, sëmundjet e frymëmarrjes dhe diarreja janë disa nga sëmundjet e zakonshme te njerëzit e zhvendosur.

Shumë bëjnë çmos për të gjetur një hije ose për t’u qetësuar.

Fëmijët janë veçanërisht të prekur, të ekspozuar ndaj goditjes nga nxehtësia dhe dehidrimit.

Tendat supozohej të ishin zgjidhje të përkohshme, jo të përhershme, por sot edhe blerja e një prej tyre apo përpjekja për ta ndërtuar është tepër e shtrenjtë, mund të kushtojë deri në 1 mijë e 500 dollarë.

Ndikimi psikologjik tek ata që jetojnë në këto kushte është shkatërrues. Shumë njerëz ndihen të pashpresë.

Ata jetojmë në një situatë të paimagjinueshme dhe mendojnë se bota i ka harruar.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.