Shqipëria

Vangjush Dako del para GJKKO-s, për masën e sigurisë


Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) për t’u njohur me masën e sigurisë.

Kujtojmë që pas vetëdorëzimit, Dako është mbajtur në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza”.

Më herët, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), zbuloi akuzën për ish-kreun e Bashkisë Durrës dhe nëntë persona të tjerë, të përfshirë në disa çështje të bashkisë bregdetare ndër vite.

SPAK kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, për Dakon, duke e akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, dy herë.

Vangjush Dako akuzohet për dy episode të ndryshme, nën të njëjtën akuzë, atë të shpërdorimit të detyrës.

Në rastin e parë bëhet fjalë për dëmtimin e një pallati në Durrës që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ndërsa rasti i dytë përmend një procedurë prokurorimi projekt zhvillimor vlera e të cilit është “fryrë” duke kapur shifrën e 220 milionë lekëve të vjetra, nga përllogaritjet që ka bërë SPAK.

Më në detaje, vërehet se kontrolli i kuotës është bërë më 27 nëntor 2014 dhe pagesa e tarifës është bërë më 16 shkurt 2015.

Më 19 maj 2015 është bërë pagesa e tarifës për lejen e përdorimit dhe tetë ditë më pas është miratuar certifikata e përdorimit nga drejtori i Planifikimit të Territorit, Adhurim Qehajaj.

Sipas dosjes së zbardhur, në të njëjtën datë ky dokument është nënshkruar nga Vangjush Dako, në cilësinë e kryebashkiakut.

Në vijim, shkresa i është dërguar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës.

Kujtojmë se 10 personat e arrestuar nga SPAK për këtë dosje janë: Vangjush Dako, Adhurim Qehajaj, Ermal Lama, Fatmir Ejupi, Adrian Bulku, Fiqiri Fareuku, Adnand Toçilla, Meri Semini Priftuli, Ferzilet Hajderi, Djana Dedja.

Më 30 korrik, i etiketuar si non grata nga SHBA-të, sot drejtësia shqiptare po merr veprime konkrete ndaj tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore