Vangjel Tavo: Unë drejtoj duke shërbyer, Gjikuria i mirëpritur për nënkryetar
Rajmonda Basha
05.08.2024 7:12Sot fitoi Himara.
Ky ka qenë reagimi i kryetarit të ri të Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, përmes një postimi në median sociale Facebook.
“Të nderuar banorë të Himarës, njësive administrative Lukovë dhe Horë-Vranisht, e të të gjithë fshatrave pa asnjë dallim. Ju jam thellësisht mirënjohës që më dhatë besimin tuaj për të drejtuar Bashkinë Himarë. Ky besim do përkthehet në punë dhe në përmbushje të gjithë pikave të programit tim, për të cilat edhe ju më votuat”, shkruan ai.
Më tej thekson se “unë do drejtoj duke shërbyer, do punoj duke vënë interesat tuaja mbi çdo gjë, e do jem kryebashkiaku i përkushtuar ndaj gjithësecilit prej jush, si votuesve të mi ashtu edhe asaj pjese që nuk më votoi, sepse Himara është e pandarë, sepse zhvillimi që na pret përpara për Himarën nuk është i fragmentuar por një dhe i tërë”.
“Sepse ngjyrat politike janë individuale ndërsa e ardhmja është e përbashkët dhe komunitare. Dhe, vetëm kështu, të pandashëm nga bindjet dhe ndasitë, në bashkëjetesë e harmoni të plotë, ne do e çojmë përpara Himarën, në paqe dhe begati. Himara është e himarjotëve dhe himarjotët meritojnë të jetojnë ashtu siç duan: në liri, harmoni e bashkëjetesë me të gjitha realitetet në Himarë, duke ecur përpara krah për krah në të mirën e komunitetit dhe mirëqenien e çdo familje”.
Një ftesë ai ka pasur dhe për kundërshtarin e tij, “Petro Gjikuria të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë”.
“Jam i vetëdijshëm që kjo është e paprecedentë në historinë zgjedhore të tre dekadave të fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, e nis unë i pari me shembullin konkret të bashkëpunimit dhe bashkimit që meriton kjo bashki. Nëse Gjikuria ka vendosur të qëndrojë e jetojë në Himarë unë e mirëpres të pranojë e t’i bashkohet programit tonë për Himarën dhe himarjotët. E ka ftesën e hapur për të kontribuar me ide dhe energji për të ecur përpara. Sepse Himara është e të gjithëve”.
Teksa po numëroheshin votat e fundit, nga kampi socialisti nisi festa e fitores.
Brohoritje, duartrokitje dhe përqafime në sallën ku ndodheshin përfaqësuesit politikë, mbështetësit dhe vetë kandidati i PS, Vangjel Tavo, i cili rezultoi fitues ndaj kandidatit rival të opozitës, biznesmenit Petro Gjikuria, me mbi 55% të votave.
I pranishëm edhe përfaqësuesi politik socialist Blendi Klosi, që bashkë me të tjerët rrethuan Tavon dhe e uruan për fitoren e zgjedhjeve.