Sport

Valencia interesohet për Bajramin


Mesfushori i kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, është duke u kërkuar nga skuadra e Valencia-s.

Për Bajramin ishte përfolur vazhdimisht për një largim nga Empoli, shkaku që shumë skuadra kanë shfaqur interesim për të.

Valencia, e cila drejtohet nga trajneri italian, Gennaro Gattuso, pretendon ta përforcojë mesfushën me një futbollist siç është Bajrami, andaj pritet që në afatin kalimtar të janarit të ketë ndonjë ofertë.

Gjithsesi, Empoli nuk ka ndërmend të hapë rrugë teksa mundësia e vetme që mesfushori shqiptar të largohet nga Italia është vetëm nëse mbërrin një ofertë e mirë financiare për klubin italian.

Bajrami ka një kontratë deri në vitin 2024 me Empoli-n dhe e ardhmja e tij varet tërësisht nga klubi që nuk heq dorë lehtësisht nga mesfushori kuqezi.

Bajrami ishte i kërkuar edhe në afatin kalimtar të fundit veror, por Empoli nuk hoqi dorë nga ai pa të paktën 10 milionë euro.

Kujtojmë se Bajrami iu bashkua Empoli-t nga Grasshoppers në vitin 2020 ndërsa me kalimin e kohës është shndërruar në një lider për skuadrën italiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore