Lajme

Valdrin Sahiti for President


I mbani në mend deputetët e Vetëvendosjes pa kravata në legjislaturën e vitit 2011?

Me flokë të pakrehura, herë me xhemper të pashije vija-vija, herë me këmisha të pahekurosur pa pedanteri minimale, Albin Kurti i mësonte të tijtë se ‘kravata është simbol i ndarjes klasore’. Një qëndrim i tillë, sikurse edhe shumë të tjera të Albin Kurtit, është aq palidhje sa nuk meriton vëmendje të mëtejshme këtu.

Gjithsesi, mbetet shqetësuese që për gati dy legjislatura një pjesë e madhe e shoqërisë së Kosovës, për të mos fol për anëtarësinë e verbër të kësaj ndërmarrje të pazarxhinjëve të tenderëve e punësimeve me lista nëpër institucione publike, i ndërsyen njeri-tjetrit në biseda nëse kravata është ‘mendjemadhësi’, ‘simbol borgjez’ apo ‘tregues i mikroborgjezisë’. Bukur shumë.

Kjo tufë të marrësh e futën kryet nën dhe si strucë të zgjebosur, po atë çast kur Albin Kurti u shfaq i zgërdhirë në ekrane televizive me kravatë lidhur rreth qafës. Pas kësaj jo që u gropos debati për njerëzit që mbajnë kravata në këtë vend, po Albin Kurti i mësynte edhe livadhet, fushat, arat e zabelet e Kosovës, nga Çakorri deri në fshatrat më të harruar të Kosovës, në 40 gradë celsius, veshur me farmak e kravatë në fyt.

Kjo s’është punë veshjesh as shijesh personale: kjo është punë njeriu që ka ndërsyer pa asnjë fre, kundër atyre që mbajnë ora të shtrenjta, kravata me ngjyra, farmerka firmato.

Personalja është politike – ligjëronte i mërdhezur Albin Kurti nga mllefi i papërmbajtur se nuk gëzon asnjë trohë pushtet. Albin Kurti, sot thonë banda e justifikatorëve pa ideal në frëngjitë e rrjeteve sociale për të frikësuar çdo zë të lirë, s’është më ai i vjetri, është pjekur e ka ndryshuar për të mirë, pavarësisht be-e-rr’feve që i kanë bërë këtij populli se këta, bijtë e përulur të tij, nuk do të hyjnë kurrë e përjetë në zgjedhje, do ta çlirojnë Veriun e Kosovës, do ta bëjnë bashkimin kombëtar, do ta vendosin reciprocitetin me Serbi, do të punojnë për makroshengen kombëtar, aleancë ballkanike kundër Serbisë e çka jo tjetër.

Te kjo puna e ndryshimeve megjithatë të vranë syrin një dukuri tjetër – mes shumë tjerash, po për ato ndonjë herë tjetër – dukuria e lifestyle-t superlukzoz të krerëve të shtetit.

Liburn Aliu e Vjosa Osmani, sipas raportimeve të medieve, tashmë kanë parapaguar shtëpitë e tyre në Marigona Hill. Sipas standardeve të tyre të deridjeshme, këto zona kanë qenë simbole të ‘gated community’, me demek hapësira rezidenciale të mbyllura nga pjesa tjetër e shoqërisë. Sa më larg Marigonës, aq më afër realitetit: kështu i mësonte të rinjtë pseudo-aktivistë në kurset e shpëlarjes, një ministër me nam që sot është në garë serioze për të thyer çdo rekord sa i përket punësimit nga motra me zero kompetencë profesionale deri te kushërinjtë e akrabatë me librezë partie.

Sot, ndërkaq, ai me të tjerë janë hyllur me turr të papërmbajtur për të kapur nën tavolinë një çmim më të përshtatshëm të një kulmi në Marigona Hill, duke u jargosur para disave që deri dje i quanin oligarkë e mafi ndërtimi [ju lutem shumë, emrat e tyre mos i kërkoni te Lumir Abdixhiku a Përparim Rama se do zemërohen].

OK – s’ka lidhje –  me hajër shtëpitë që i morët me punën e mundimshme të thyerjes së parimeve, montimit e çmontimit të koreografive të mashtrimeve me histori kombëtare e shkeljes së çdo premtimi dhënë njerëzve të këtij vendi.

Shkurt muhabeti, nga pesha e rëndë e fatit të kombit mbi supet e saj, e keni parë, besoj, Vjosa Osmani ka rënë fort në peshë. Jo, këtë nuk e beson as Prindon Sadriu, i cili përveç tjerash, nuk i beson edhe disa tregime të tjera me disa pronarë moblierish, hajdut e matrapazë, këtu diku rreth Prishtinës – BIN, BIN, Al-Bin… por këtë rresht po e mbyll këtu.

Sipas lajmeve në Turqi e Kosovë, Vjosa Osmani shkoi e u pre në brisk të gastroenterologëve më të zgjedhur të Turqisë për të hequr kilogramët e tepërt. Pra, mos të jetë vetëm Presidente me votë të tregtuar edhe nga Adelina Grainca, por edhe një Presidente ‘HOT’. Jo rastësisht, lartë e poshtë nëpër studio televizive, ka filluar ta citojë edhe Dafina Zeqirin: “llafe-llafe”, a si ishte ajo kënga?

Kilogramët e tepërt e komplekset pothuajse të pashërueshme për dukjen e saj, natyrisht, janë krejtësisht punë personale e Vjosa Osmanit. Këtu ka megjithatë diçka që është punë e turpshme politike e institucionale e saj. Së pari, kur nëna e Ramush Haradinajt, bijë, motër e nën luftëtarësh e dëshmorësh, shkoi për shërim jashtë vendit, këta dhjetëftyrëshat e Vetëvendosjes, shpërthyen në rrjete sociale në britmë e piskamë duke thënë se ajo qe me fat për të ikur larg se të bijtë e saj janë pasuruar paskaj në kurriz të këtij populli. Sot, ndërkaq, kur shërbëtorja e verbër e Fatmir Sejdiut e Isa Mustafës, e cila, pasi këta “u bënë lodra të Serbisë”, sepse kundërshtarë të Albin Kurtit, vendosi të bëhet një bijë e përkushtuar e popullit, Vjosa Osmani, shkon në Turqi për qëllime estetike, ‘qile guri gojën’, as edhe një fjalë të vetme.

Kjo sa i përket moralit, nderit e parimeve të ushtrisë së gojëligave të Albin Kurtit, atij që sot po u qepet pas si fans i vogël krerëve të shteteve për të nxjerrë një ‘selfie’. Jo, jo, kujdes aman se nuk po merrem këtu me sjellje personale. E mbani në mend kur thoshte Hashim Thaçi nuk mund të ketë dëgjuar ‘rock’ por vetëm Bijte e Sefës (duke i fyer kështu jo vetëm disa rapsod atëdhedashës, por edhe këngën burimore shqipe) apo që ai do ta shes Kosovën për një fotografi me Donald Trump?

“Është shumë problem me njerëz që kanë komplekse të tilla”, thoshte në një intervistë përballë Buzhalës. Sot, ndërkaq, s’ia ndanë selfieve, si një adhurues i vogël që u kërkon autografe edhe ndërkombëtarëve më fundorë në takime. Po, është problem shumë me njerëz që kanë komplekse të tilla, veçanërisht kur janë kaq mashtrues, të pabesë dhe të pandershëm.

E, e dyta, edhe më me rëndësi se e para, mbetet se sipas medieve e njëjta ndërhyrje si e Presidentes mund të bëhet edhe në Kosovë. Tani, pasi u çkap shëndetësia nga duart e arta të Arben Vitisë e po zhvillohet nga mendja e hatashme e Rifat Latifit, pyetja është pse Vjosa Osmani nuk i beson shëndetësisë vendore, asaj që i dha krah një populli midis pandemisë, për një ndërhyrje jo edhe aq të ndërlikuar?

Presidentja i merr për budallenj ata që ngrenë pyetje të kësaj natyre kur lëshon lajme lajthitëse, nëpërmes mercenarëve të saj në portale, se ndërhyrja është bërë për shkaqe shëndetësore. Për më keq, Presidentja e tall, fyen dhe ofendon një popull në nevojë që pret në radhë të gjata e kërkon shpëtim korridoreve të QKUK.

Pse u dashka që njerëzit e zakonshëm t’i besojnë shëndetësisë vendore kur vetë Presidentja, kukullushka e Albin Kurtit, s’ia beson as kilet e tepërta një mjeku vendor? Nuk ka asnjë arsye, pavarësisht se shefi i saj, e paraqet zhvillimin e shëndetësisë si sukses te tij.

Sidoqoftë, pasi është shkëputur përfundimisht nga populli, noterja belhollë e Albin Kurtit, ka vendosur që ‘part-time’ ta ndjek edhe pasionin e saj për modelizëm. Në mbrëmjen e organizuar nga Valdrin Sahiti, me veshje të porositur enkas, plot ‘sherk’ e flokë me fenir, bërë me termin të posaçëm, ajo defiloj në tepihun e kuq, krahas Bora Zemanit e Donald Veshajt.

Në të njëjtën mbledhje të nivelit të lartë, u shfaq edh e ish-Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila pasi u bë horë në detyrë, kishte vendosur t’i bindë shqiptarët se ajo është edhe e bukur, me një pasion e zell të filloristeve në mbrëmje të maturës. Pra, ajo që deri dje ishte kolegja e burrështetasve botërorë, u rikthye në jetë publike si konkurente e dobët e influencereve të Instagramit.

Natyrisht, aty nuk munguan as Memli Krasniqi e Vlora Çitaku, të cilët kanë vendosur që opozitën ndaj qeverisë ta bëjnë në klubet e natës: Zone, Bon Vivant e Bruni, pa harruar ama asnjëherë se Liria ka Emër. Pa u thelluar në veshjen e zezë të Vlora Citakut e cila me siguri vjen nga mërzia e thellë, ajo bashkë me Memlin janë shndërruar në sinonime të nënshtrimit ndaj Albin Kurtit.

Me një fjalë, maskarallëk politiko-kulturor.

E fati i vendit?

Për këtë kësaj radhe nuk do të flas Batoni, kundërshtari i madh i revolucionit të jashtëzakonshëm të Vetëvendosjes. Për mua, dhe analizën e mëtejme socio-psikologjike “nga poshtë lartë”, siç thoshte Albini për dialogun, u tregon partneri i allishverisheve multimilioneshe të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, sociologu i përmasave evropiane, Ambasadori ynë në Kroaci, Dr. Martin Berishaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore