Art&dizajn

Valbona Zherka rikthen veprat e saj në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit


Dy nga veprat më të njohura të artistes, Valbona Zherka, “Qëndresa” dhe “Kullat e Qëndresës”, janë kthyer përsëri në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Lajmin e ka bërë të ditur Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren (QRTK), e cila bashkë me qendrën e Autostradës Biennale, organizuan një ceremoni solemne brenda së cilës autores së veprave, Zherkës,  iu nda edhe një mirënjohje.

Rikthimi i veprave brenda QRTK-së është bërë me vetiniciativë të autores që ka marrë përsipër të kryej procesin e restauraimit të dy veprave të saj, të cilat i ka kthyer për t’i vënë në ekspozim në kuadër të sektorit të Galerisë së Arteve në Kompleksin e Lidhjes.

“Restaurimi i dy veprave ‘Qëndresa’ dhe ‘Kullat e Qëndresës’ të autores Valbona Zherka, të punuara me teknikën thurje klasike e leshit, ishin në gjendje jo të mirë dhe mjaft të dëmtuara, si rezultat i vjetërsisë së tyre, andaj kanë pasur nevojë imediate për trajtim dhe restaurim urgjent”, thuhet në komunikatë.

Sipas QRTK-së në Prizren, veprat e autores Zherka “Qëndresa” dhe “Kullat e Qëndresës”, kanë qenë të ekspozuara në sektorin e Galerisë së Arteve që nga viti 1978 me rastin e shënimit të njëqind vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ndryshe, artistja, Valbona Zherka, ka studiuar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës, ku edhe diplomoi në vitin 1977, për të vazhduar më tej në sferën e masterit që e përfundoi në vitin 1980 në Beograd.

Valbona Zherka është po ashtu e njohur edhe si nëna e aktores së famshme nga Kosova, Gresa Pallaska.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore