Shëndet

Vaksinimi kundër COVID-it ka ndikuar në një ndryshim “të përkohshëm” të ciklit menstrual


Vajzat dhe gratë që janë vaksinuar kundër COVID-19 janë përballur me cikle menstruale që kanë zgjatur për më gjatë.

Por ky ndryshim ka qenë i përkohshëm, sipas një studimi të ri të botuar në revistën BMJ Medicine.

“Krahasuar me grupin e pavaksinuar, individët e vaksinuar kishin një rritje në zgjatjen e ciklit menstrual prej më pak se një ditë me dozat e vaksinës së parë dhe të dytë”, kanë treguar autorët.

“Individët që morën dy doza të një vaksine COVID-19 në një cikël të vetëm kishin një rritje të zgjatjes së ciklit prej 3,70 ditësh krahasuar me të pavaksinuarit”, kanë shtuar ata.

Po ashtu është vënë re një “rritje e konsiderueshme” në shkallën e të anketuarave që kishin një rritje më shumë se tetë ditë në zgjatjen e ciklit.

Autorët e studimit kanë zbuluar se 13.5 për qind e individëve të vaksinuar dhe pesë për qind e pjesëmarrësve të pavaksinuar e raportuan këtë.

“Nuk gjetëm dallime në zgjatjen e menstruacioneve në asnjë grup individësh të vaksinuar, krahasuar me grupin e pavaksinuar”, kanë shtuar ata.

Ndryshimet në zgjatjen e ciklit nuk mbetën në ciklin pas vaksinimit, përveç në grupin që mori dy doza në një cikël. Ato ishin të ngjashme pavarësisht nga vaksina që mori një person.

Në studim u përfshinë rreth 20 mijë njerëz, të cilët regjistruan të dhënat e tyre duke përdorur aplikacionin Natural Cycles midis 1 tetorit 2020 dhe 7 nëntorit 2021.

Pjesëmarrëset ishin nga një sërë vendesh, por kryesisht nga Evropa, SHBA-të dhe Kanadaja. Gati dy të tretat e 15 mijë pjesëmarresve të vaksinuara kishin marrë vaksinën Pfizer/BioNTech.

“Këto gjetje ofrojnë informacion shtesë për këshillimin e grave se çfarë të presin pas vaksinimit”, ka treguar doktoreshë Diana Bianchi.

Sipas saj, ndryshimet pas vaksinimit duken të vogla, brenda intervalit normal të variacionit dhe të përkohshme.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore