Kosova

Vitia: Vaksinave të AstraZenecas iu skadon afati në fund të korrikut


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se 12 mijë vaksina të AstraZenecas kanë afat deri më 31 korrik kurse një pjesë tjetër deri më 31 gusht.

Vitia ka thënë se ai është vaksinuar me një vaksinë që ka afat më të shkurtër të llojit të AstraZeneca.

“Nuk ka asnjë arsye për të mos u vaksinuar me këto vaksina, unë u vaksinova me vaksinën me afatin me të shkurtë, që skadon me 31 korrik. 12 mijë prej vaksinave që kanë ardhur nga Norvegjia skadojnë në fund të korrikut, pjesa tjetër në fund të gushtit”, deklaroi ai.

Të mërkurën gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Bekim Haxhiu, ka kërkuar sqarim nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia për vaksinat që kanë ardhur nga Norvegjia.

Haxhiu ka thënë se pranimi i këtyre donacioneve është në kundërshtim me Ligjin për furnizimin me pajisjet medicionale, duke thënë se afati i skadimit të tyre është më së shumti 6 muaj.

Më 3 korrik, Kosova pranoi mbi 182 mijë vaksina AstraZeneca, donacion nga Norvegjia.

Ministri Vitia foli edhe për vaksinimin në komunat me shumicë serbe.

“Disa nga komunat në pjesën veriore vetëm kanë shkuar ekipet tona dhe kanë treguar që një pjesë e madhe e tyre tashmë janë vaksinuar dhe nuk kanë pasur nevojë për vaksina. Kurse, në disa komuna të tjera kanë kërkuar që stafi i tyre, ekipet e vaksinimit, të vijnë dhe të trajnohen në këtë qendër, që është bërë dhe në bazë të kërkesës së tyre u është dërguar edhe numri i vaksinave, për të cilin nuk kam shifër të saktë”, tha Vitia.

Ndërsa, shtoi se të gjithë qytetarët që duan të vaksinohen do të vaksinohen, por se komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian do të ndihmohen nga ekipet mobile që të regjistrohen dhe vaksinohen.

Kosova, sipas Vitisë, deri më tani ka mbi 2 milionë vaksina dhe ka vaksina të mjaftueshme në stoqe. Ai po ashtu paralajmëroi se gjatë kësaj jave do të bëhet edhe rishikimi i masave kundër COVID-19.

Kosova nisi vaksinimin kundër Coronavirusit në fund të marsit, ndërkaq më 15 qershor nisi vaksinimi masiv. Deri më 7 korrik, në Kosovë janë vaksinuar mbi 236 mijë qytetarë, ku rreth 58 mijë prej tyre janë vaksinuar plotësisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore