Lajme

Vaksinat për të trajtuar kancerin mund të jenë të mundshme deri në vitin 2030


Vaksinat që synojnë kancerin mund të jenë të disponueshme para fundit të dekadës.

Kështu ka bërë me dije ekipi që qëndron pas një prej vaksinave më të suksesshme COVID të pandemisë.

Uğur Şahin dhe Özlem Türeci, të cilët kanë bashkëthemeluar vaksinën BioNTech, kanë treguar se kishin bërë përparime që nxitën optimizmin e tyre për vaksinat e kancerit në vitet e ardhshme.

Türeci ka treguar se si teknologjia MRNA në zemër të vaksinës COVID të BioNTech mund të ripërdoret në mënyrë që të përgatitë sistemin imunitar të sulmojë qelizat e kancerit.

Sakaq, Sahin ka parashikuar se këto vaksina mund të jenë të disponueshme “para vitit 2030”.

Një vaksinë mRNA për COVID-in funksionon duke transmetuar në trup udhëzimet gjenetike për proteinat e padëmshme të virusit.

Këto proteina, ose antigjene, përdoren për t’u treguar antitrupave të sistemit imunitar dhe mbrojtjeve të tjera se çfarë të kërkojnë dhe të sulmojnë.

Sipas Türeci, e njëjta qasje mund të merret për të nxitur sistemin imunitar për të kërkuar dhe shkatërruar qelizat e kancerit.

Vaksina, në vend që të mbajë kodin që identifikon viruset, përmban udhëzime gjenetike për antigjenet e kancerit – proteina që mbulojnë sipërfaqet e qelizave tumorale.

BioNTech ka punuar për vaksinat e kancerit mRNA përpara se të godiste pandemia, por firma u përpoq të prodhonte vaksina COVID përballë urgjencës globale.

Tani ajo disponon disa vaksina kundër kancerit në prova klinike.

Türeci ka thënë se zhvillimi dhe suksesi i vaksinës Pfizer/BioNTech, e cila është e ngjashme me vaksinën Moderna Covid, “kthehet në punën tonë kundër kancerit”.

Ekipi shpreson të zhvillojë trajtime për kancerin e zorrëve, melanomën dhe lloje të tjera të kancerit, por pengesa të konsiderueshme janë përpara.

Qelizat e kancerit që përbëjnë tumoret mund të mbulohen me një shumëllojshmëri të gjerë të proteinave të ndryshme, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë krijimin e një vaksine që synon të gjitha qelizat e kancerit dhe jo indet e shëndetshme.

“Si shkencëtarë, ne gjithmonë hezitojmë të themi se do të kemi një kurë për kancerin. Ne kemi një numër përparimesh dhe do të vazhdojmë të punojmë për to”, ka përmbyllur Türeci.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore