Lajme

Vaksina e re kundër sëmundjes së malaries është “më e mira deri më tani”


Një nga zbuluesit e një vaksine që mund të zhdukë sëmundjen e malarias shpreson që ajo të mund të miratohet që në fillim të vitit të ardhshëm.

E gjitha pasi rezultatet e fundit të provës kanë qenë të suksesshme.

Për Adrian Hill kjo është “vaksina më e mirë deri më tani”.

Ai beson se R21 mund të ndihmojë në reduktimin e vdekjeve nga sëmundja me 70 për qind deri në vitin 2030 dhe ta zhdukë atë deri në vitin 2040.

Sipas Hill, do të ishte tragjike nëse Mbretëria e Bashkuar do të shkurtonte fondet ashtu siç shkencëtarët ishin gati të bënin “një ndikim të vërtetë” kundër malaries.

Ai i ka kërkuar kryeministres së re britanike Liz Truss që të mos e shpërdorojë inovacionin më të fundit të Mbretërisë së Bashkuar duke “mbyllur rubinetat” në fondet globale të shëndetësisë.

Rezultatet nga testimi në Burkina Faso treguan se R21 ruan efikasitetin e tij të lartë pas një administrimi të vetëm përforcues.

Studiuesit shpresojnë se vaksina mund të miratohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë vitin e ardhshëm, duke supozuar se një provë më e madhe në vazhdim nuk sjell probleme të papritura.

Por Hill ka paralajmëruar gjithashtu se marrja e vaksinës në krahët e dhjetëra miliona fëmijëve afrikanë që kanë më shumë nevojë për të do të ishte një sfidë pa financim.

Organi që siguron më shumë se gjysmën e të gjithë financimit për programet botërore të malaries, Fondi Global për Luftimin e Sidës, Tuberkulozit dhe Malaries, ka paralajmëruar se nëse nuk merr më shumë para nga vendet kryesore donatore, nuk do të jetë në gjendje ta rikthejë luftën kundër këtyre sëmundjeve në rrugën e duhur pas pandemisë.

“Është tepër e rëndësishme që Fondi Global të rimbursohet siç duhet. Ajo që ata bëjnë është absolutisht e mahnitshme”, ka vijuar Hill.

“Shpresoj se kryeministrja e re do të jetë e etur për të njohur rëndësinë e të bërit atë që Mbretëria e Bashkuar, donatorja e tretë më e madhe e fondit, ka bërë kaq mirë në të kaluarën”, ka thënë ai.

Sakaq, një tjetër vaksinë kundër malaries e prodhuar me nivele më modeste efikasiteti, RTS,S e GSK, e miratuar nga OBSH vitin e kaluar, është gati të vendoset më gjerësisht nga viti i ardhshëm.

Sipas Hill, dy vaksinat kryesore në botë për sëmundjen e malaries janë nga një kompani me seli në Mbretërinë e Bashkuar dhe një universitet në Mbretërinë e Bashkuar.

“Mbretëria e Bashkuar është e mirë në këto gjëra. Do të ishte tragjike nëse befas do të mbyllim rubinetat e financimit. Dhe ekziston rreziku për këtë”, ka theksuar ai.

Shkencëtarët janë përpjekur të gjejnë një vaksinë të mirë kundër malaries për rreth një shekull, me provën e parë klinike që u zhvillua në vitet 1940.

Sëmundja vret qindra mijëra njerëz çdo vit, kryesisht fëmijë nën pesë vjeç në Afrikën Sub-Sahariane.

R21, vaksina e parë e malaries që përmbush një objektiv të efikasitetit të OBSH-së prej 75 për qind, është licencuar në Institutin e Serumit të Indisë.

Ai është gati të prodhojë të paktën 200 milionë doza në vit nga viti i ardhshëm nëse i jepet drita jeshile pas rezultateve nga prova më e gjerë, që pritet më vonë këtë vit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore