Lajme

Vaksina e malaries, përparim i madh kundër vrasësit të fëmijëve


Një vaksinë kundër malaries që mund të prodhohet në një shkallë masive është rekomanduar për përdorim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Vaksina është zhvilluar nga Universiteti i Oxford-it dhe është vetëm vaksina e dytë e malaries që është zhvilluar.

Malaria vret kryesisht foshnjat, dhe ka qenë një nga plagët më të mëdha për njerëzimin.

Tashmë ka marrëveshje për të prodhuar më shumë se 100 milionë doza në vit.

Është dashur më shumë se një shekull përpjekje shkencore për të zhvilluar vaksina efektive kundër malaries.

Sëmundja shkaktohet nga një parazit kompleks, i cili përhapet nga pickimi i mushkonjave që thithin gjak.

Ai është shumë më i sofistikuar se një virus pasi fshihet nga sistemi imunitar duke ndryshuar vazhdimisht formën brenda trupit të njeriut.

Çka e bën të vështirë ndërtimin e imunitetit në mënyrë natyrale përmes kapjes së malaries dhe të vështirë zhvillimin e një vaksine kundër saj.

Kanë kaluar thuajse dy vjet nga dita që kur vaksina e parë – e quajtur RTS,S dhe e zhvilluar nga GSK – u mbështet nga OBSH.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, ka thënë se është  një moment “kënaqësie të madhe”.

“Dikur ëndërroja ditën kur do të kishim një vaksinë të sigurt dhe efektive kundër malaries, tani kemi dy”, ka thënë ai.

OBSH ka bërë me dije se efektiviteti i dy vaksinave është “shumë i ngjashëm”.

Ndryshimi kryesor është aftësia për të prodhuar vaksinën e Universitetit të Oxford-it – e quajtur R21 – në shkallë.

Prodhuesi më i madh i vaksinave në botë – Instituti i Serumit të Indisë – tashmë është i përgatitur për të prodhuar më shumë se 100 milionë doza në vit dhe planifikon të shkojë deri në 200 milionë doza në vit.

Deri më tani ka vetëm 18 milionë doza të RTS,S.

Të dy vaksinat përdorin teknologji të ngjashme dhe synojnë të njëjtën fazë të ciklit jetësor të parazitit të malaries.

Por vaksina më e re është më e lehtë për t’u prodhuar pasi kërkon një dozë më të vogël dhe përdor një ndihmës më të thjeshtë.

Në vitin 2021, kishte 247 milionë raste të malaries dhe 619 mijë njerëz vdiqën, shumica prej tyre fëmijë nën moshën pesë vjeç.

Më shumë se 95 për qind e malaries gjendet në Afrikë.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore