Lajme

Vajtimi i Vuçiçit në OKB: Diskutimi me Kurtin, më shumë monolog se sa dialog


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka nisur adresimin e tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), duke thënë se Serbia “nuk është gati t’ia kthej shpinën miqve të vjetër”, duke iu referuar presionit të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për t’i vendosur sanksione Rusisë për agresionin e paprovokuar në Ukrainë.

Ai më pas ka kapërcyer në akuza kundër bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, posaçërisht shteteve anëtare të NATO-s, në lidhje me “shkëputjen ilegale” të Kosovës nga Serbia në vitin 2008 “pa referendum e pa asnjë formë tjetër demokratike”, derisa ka shtuar se parimet e Kartës së OKB-së janë “shkelur brutalisht” në vitin 1999, duke shkaktuar “vijimësinë e problemeve” të tjera në pjesë të ndryshe të botës.

Madje, ai ka justifikuar agresionin rus në Ukrainë pikërisht duke e përdorur ndërhyrjen humanitare të NATO-s në Serbi dhe Mal të Zi, ashtu sikurse presidenti rus, Vladimir Putin, i cili vetëm pak ditë para sulmit ndaj Ukrainës, ka përdorur ndërhyrjen e NATO-së në përpjekje për të legjitimuar agresionin e paligjshëm ndaj Ukrainës.

Presidenti serb ka thënë se ka dëgjuar me vëmendje fjalimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe se ka ngelur i hatëruar pse nuk e ka përmendur integritetin territorial dhe sovranitetin e shteteve njëzet vite më parë, duke iu referuar bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë për agresionin në Kosovë.

“Përpjekja për copëtimin e vendit tim me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 është ende duke vazhduar. Shkelja e Kartës së OKB-së në rastin e Serbisë ishte një nga shkaktarët e dukshëm të problemeve me të cilat po përballemi sot, të cilat edhe shkojnë përtej kufijve të vendit tim apo të rajonit”, ka thënë Vuçiçi nga foltoroja e OKB-së.

Derisa ka folur për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) dhe duke iu referuar takimit të 14 shtatorit në kuadër të nivelit të lartë me kryeministrin kosovar Albin Kurti në Bruksel, ai ka pandehur se “diskutimi me Kurtin është më shumë monolog se sa dialog”, ndërsa ka insistuar si zakonisht në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Vendi im do të vazhdojë të luftojë për dialogun dhe gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për Kosovën, banorët e së cilës ne i respektojmë njësoj, pa dallim kombësie. Serbia dhe të gjitha institucionet po punojnë me kapacitet të plotë për të ruajtur dialogun me Kosovën nën patronazhin e BE-së. Kjo është detyra jonë”, ka thënë ndër të tjera Vuçiçi.

“Dialogu është i mundur vetëm nëse të gjithë ne, duke përfshirë edhe ndërmjetësit evropianë [shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe emisari special për dialogun Miroslav Lajçak] i përmbahemi fort asaj për të cilën është rënë dakord. Çekuilibri, ku Serbia duhet të bëjë gjithmonë lëshime, nuk çon në zgjidhjen e problemit”, ka shtuar presidenti serb.

Vuçiçi ka përmenduar edhe çështjen e anëtarësimit të Serbisë në BE, inciativën rajonale “Ballkani i Hapur” dhe rolin e Serbisë në rajon, porse ende mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore