Lajme

Ushtarët e KFOR-it largohen nga objekti i komunës në Zveçan: Situata është stabilizuar


Ushtarët e KFOR-it janë larguar nga objekti i komunës së Zveçanit ku ishin vendosur vitin e kaluar pas protestave të dhunshme të serbëve lokalë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.

“Situata në komunën e Zveçanit është stabilizuar. Si rezultat, njësitet nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të misionit KFOR më nuk do të jenë prezentë në ndërtesën e Komunës. Por, do të mbesin në zonë dhe do të kryejnë patrullime të rregullta për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftim për media të KFOR-it.

Sipas njoftimit, KFOR-i do të vazhdojë ta implementojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

“KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”.

Situata ishte tensionuar në Veri të Kosovës kur kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës.

Situatë më e tensionuar ishte më 29 maj, ku protestuesit e dhunshëm serbë, të prirë nga ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, kishin sulmuar ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të lënduar më shumë se 90 prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Fillimisht protestuesit kishin tentuar të hynin me forcë në objektin e komunës së Zveçanit, por ishin ndaluar nga forcat policore të  cilët kishin përdorur edhe gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve serbë, pasi paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën dhe ishin tejet të dhunshëm në kundërshtimet e tyre.

Si lider i “demonstruesve të dhunshëm” dhe organizator i sulmeve ndaj KFOR-it u identifikua Millun Millenkovic i njohur me nofkën “Llune”, i cili u arrestua.

Edhe 1 vit politikë në/për Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore