Lajme

Uragani Orlene godet bregun e Paqësorit të Meksikës me erëra të forta


Uragani Orlene ka mbërritur në bregun e Paqësorit të Meksikës, pranë qytetit turistik të Mazatlán, me erëra më shumë se 130 kilometra në orë.

Kabllot elektrike u lëkundën dhe lëshuan shkëndija në qytetin El Rosario, rreth 40 milje në jug të Mazatlán, afër vendit ku goditi uragani.

Autoritetet nuk raportuan menjëherë dëme, por përgjatë bregdetit ata pezulluan mësimet, mbyllën portet detare dhe ngritën strehimore.

Një paralajmërim uragani ishte në fuqi nga San Blas në Mazatlán. Sakaq, qeveria e shtetit Jalisco pezulloi mësimet të hënën në qytete përgjatë bregdetit.

Kurse në shtetin Sinaloa u hapën disa strehimore emergjente.

Orlene mund të sjellë reshje shiu që shkaktojnë përmbytje deri në 10 inç në disa vende, si dhe përmbytje bregdetare dhe lundrim të rrezikshëm.

Portet e Manzanillo dhe Puerto Vallarta u mbyllën për anijet dhe marina e Meksikës njoftoi se portet përfshirë Mazatlán, San Blas dhe Nuevo Vallarta ishin të mbyllura për anijet e vogla.

Orlene mund të shkaktojë “rrëshqitje balte, rritje të nivelit të lumenjve dhe përrenjve dhe përmbytje në zonat e ulëta”.

Qendra e uraganit ka njoftuar po ashtu se erërat me forcë uragani shtriheshin rreth 15 milje nga qendra dhe erërat me forcë stuhie tropikale deri në 70 milje.

Stuhia arriti kulmin të dielën herët me fuqinë e kategorisë 4 me erëra maksimale të qëndrueshme prej 215 kilometra në orë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore