Ura e Ibrit – SHBA-të njoftojnë Osmanin me vlerësimet e sigurisë rreth rrezikimit të jetës së ushtarëve amerikanë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë nëse hapet Ura e Ibrit në Mitrovicë.
Kështu ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post.
“Konfirmojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me Presidenten, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë, të cilët çdoherë kanë dalë në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe jetës së qytetarëve tanë”, thuhet në përgjigje.
Megjithatë, ai ka theksuar se zyrtarët e ShBA-të asnjëherë nuk i kanë shprehur Osmanit qëndrim kundër hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë.
“Thjeshtë kanë kërkuar bashkëpunim në përcaktimin e momentit më të përshtatshëm nga aspekti i sigurisë dhe ndërtim të një plani të përbashkët për zbatimin e hapjes së urës, që është në interes të të gjithë qytetarëve tanë”, thuhet tutje në përgjigje.
Dy ditë më parë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se rrezikohet jetët e ushtarëve amerikanë nëse hapet Ura e Ibrit.
“Arsyeja pse e kërkojmë këtë është se besojmë se ka rrezik të njëmendtë që lidhet me një veprim të tillë tani, si dhe besojmë se ky rrezik shton kërcënimin e mundshëm për dhunë dhe probleme të tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë”, theksoi Hovenier të martën.
Sipas tij SHBA-të “marrim shumë seriozisht veprimet” që mund të ndikojnë në sigurinë e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën.
Ndërkaq Qeveria e Kosovës ende nuk e di datën e hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullim për vetura, meqë kryeministri Albin Kurti, nuk përmendi ndonjë datë në mbledhjen e Qeverisë, por theksoi se “konsultimet me partnerët tanë do vazhdojnë”.
“Do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, tha Kurti në mbledhjen Qeverisë gjatë të mërkurën.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, potencoi se janë në pritje të raportit final për stabilitetin e kësaj ure.
“Ne po e presim raportin final i cili do të vije brenda disa ditëve, mirëpo nuk presim që do të këtë ndonjë ndryshim. Instrumente të cilat janë përdorur për testime janë shumë të avancuara dhe nuk do të ketë ndonjë ndryshim”, potencoi Durmishi para gazetarëve.
Qeveria e Kosovës ka insistuar se ura mbi Ibër, që aktualisht ndan qytetarin e Mitrovicës në vija etnike, duhet të hapet plotësisht. Aktualisht, ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete.
Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë deklaruar se – tash për tash – nuk është koha e duhur për hapjen e urës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Hoti: Reformat fiskale janë dështim tjetër i qeverisë, për 4 vjet s’është ndërmarrë asnjë esenciale
-
Vdes një i burgosur në Spitalin Rajonal të Gjilanit
-
Dorëhiqet kryetari i degës më të madhe të VV-së në Drenas: U punësuan njerëz në institucione në mënyrë të pandershme
-
Kurti takon Koopman-in, zotohet që plotësisht t’i zbatojë obligimet që dalin nga Marrëveshja Bazike