Pajisje

UPS teston biçikletat elektrike eQuad për dërgesat urbane


Kompania UPS po teston një biçikletë elektrike mallrash me katër rrota për dërgesa në zona urbane të dendura.

Kjo, pasi në të tilla zona biçikletat kanë qasje më të mirë dhe janë më të lehta për t’u përdorur.

Gjiganti i shpërndarjes së pakove po teston rreth 100 biçikleta eQuad, të dizajnuara dhe të ndërtuara nga firma britanike Fernhay, në shtatë tregje evropiane.

Testime do të ketë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa tregje aziatike.

Kështu ka bërë me dije Luke Wake, zëvendëspresident i kompanisë për mirëmbajtjen dhe inxhinierinë e flotës.

Përveç angazhimeve publike për të ulur gjurmët e karbonit, kompanitë e dërgesave të pakove janë në kërkim të mënyrave të reja për të ulur kostot e dërgesave mes porosive në rritje të tregtisë elektronike.

EQuad i UPS-së ka një shpejtësi maksimale me asistencë elektrike rreth 25 kilometra nëse pedalohet fort, por që mund të ecë edhe më shpejt.

Biçikleta elektrike mund të transportojë deri në 200 kilogramë pako.

Bateria e saj elektrike ka një distancë prej rreth 40 milje, për të cilën Wake ka thënë se është më se e përshtatshme për rrugët urbane.

Ajo është vetëm 36 inç e gjerë, kështu që mund të përdorë ligjërisht korsitë e biçikletave dhe të hyjë në zonat e këmbësorëve ku furgonët dhe kamionët e UPS-së nuk munden.

Në rrethana normale, shoferët do të duhet të dalin nga automjetet e tyre, të ngarkojnë pako në karroca dhe t’i transportojnë ato te klientët.

Sipas Wake, kompania sheh një mundësi për të rritur përdorimin e biçikletave në megaqytete dhe për të plotësuar gamën e saj të furgonëve dhe kamionëve.

“Ka gjithnjë e më shumë mundësi për zgjidhje me emetim zero si kjo që mund të lehtësojë bllokimet e brendshme të qytetit”, ka thënë Wake.

Ai ka shtuar se gjithashtu “mund të ndihmojë që operacionet të jenë më efikase në të njëjtën kohë”.

UPS-ja po punon edhe me prodhuesit e furgonëve elektrikë.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore