Sport

United-i kërkon një mesfushor, por vera e ardhshme mund t’u sjell një xhevahir


Manchester United-i është në kërkim të një qendërmesfushori gjatë kësaj merkato, por nëse ata do të vendosin të presin verën e ardhshme, do të kenë mundësi të arta, shkruan e përditshmja rajonale britanike “Manchester Evening News”.

Situata me mesfushën mund të jetë e njëjtë me atë të Jadon Sancho-s. Sezonin e kaluar, United-i e kërkoi me ngulm anglezin, por falë rezistencës së Borussia Dortmund-it dhe kërkesës së lartë ekonomike të tyre, transferimi nuk u krye.

United-i vendosi që të priste një vit për Sancho-n, duke hedhur poshtë edhe alternativat, pasi nuk siguroi shërbimet e tij dhe tashmë ai është lojtar nën urdhërat e Ole Gunnar Solskjaer-it.

Pritja i kurseu United-it rreth 35 milionë euro nga transferimi i Sancho-s, në krahasim me kërkesën e Dortmund-it në vitin 2020.

Por çfare mund të ndodhë nëse United-i vendos të presë merkaton tjetër verore?

Si fillim, Jude Bellingham-i, një tjetër super talent në radhët e Dortmund-it, mund të rritej më shumë dhe të ishte gati të bënte një hap të madhe në karrierë, duke u rikthyer në Angli.

Situata e rëndë financiare e Barcelona-s, nëse nuk do të mund të rregullohej deri në fundin e sezonit të ri, atëherë United-i mund të përfitonte për të afruar një midis Pedri-t dhe Frenkie de Jong-ut.

Gjithashtu, sezoni i ri do i japë qartësinë rreth të ardhmes së Paul Pogba-s klubit. Nëse francezi nuk rinovon, atëherë përveç alternativave të mësipërme, ka edhe lojtarë të tjerë që ndiqen prej kohësh.

Talenti 18-vjeçar i Rennes-it, Eduardo Camavinga, mund të jetë një afrim me kosto zero, pasi përfundon kontratën dhe shenjat për rinovimin e saj nuk duken.

Kandidatë të tjerë janë edhe Ruben Neves-i i Wolverhampton-it dhe Saul Niguez-i i Atletico Madrid-it. Madje, spanjollit mund t’i ulet më shumë vlera, nëse nuk merr minutat e nevojshme këtë sezon.

Gjithsesi për këtë sezon United-i ka gjashtë mesfushorë: Fred-in, Scott McTominay-n, Nemanja Matic-in, Donny van de Beek-un, Pogba-n dhe Bruno Fernandes-in dhe nuk do e kishte të ngutshme afrimin e një mesfushori të ri, së paku pa larguar një prej gjashtë lojtarëve të sipërpërmendur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore