Lajme

UNICEF-i kërkon ndërprerjen e grevës në arsim


Foto: Albanian Post

UNICEF-i, përmes një komunikate për media ka kërkuar që të filloj viti i ri shkollor pasi konsideron se është shqetësuese humbja e orëve tash e katër javë.

Nga kjo organizatë është thënë se duhet pasur parasysh fokusimin në kompensimin e humbjeve të orëve si pasojë e pandemisë COVID-19.

“Jemi duke e përjetuar një krizë globale në mësimnxënie, me gati dy të tretat e fëmijëve të moshës 10-vjeçare që nuk janë në gjendje ta lexojnë dhe kuptojnë një tekst të thjeshtë dhe privimi i vazhdueshëm i të drejtës për arsimim mund të ketë pasoja serioze në arritjet arsimore, shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve”, thuhet në komunikatën e UNICEF-it.

Kërkesë tjetër e tyre ka qenë që të vendoset në plan të parë “interesi i fëmijëve”.

“Fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë tash e katër javë nuk kanë qasje në arsim. UNICEF-i është thellësisht i shqetësuar me këtë vonesë në fillimin e vitit shkollor, veçanërisht në kohën kur të gjitha përpjekjet duhet të fokusohen në kompensimin e humbjeve të mësimit për shkak të pandemisë”.

Greva që filloi më 25 gusht rezulton të jetë greva më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Si ndikon në aspektin psikologjik mungesa e shkollës tek fëmijët?

Përveç orëve të humbura dhe mësimeve, greva mund të sjell edhe pasoja të tjera tek të gjithë nxënësit.

Në një bisedë për Albanian Post, psikologu Imri Zabeli, sqaron se mos vijimi i mësimit mund të sjell pasoja të ngjashme në shëndetin mendor sikur ato të pandemisë COVID-19.

“Mos hapja e shkollave, si pasojë e grevave pas viteve të pandemisë COVID-19, provokojnë tek nxënësit reaksione psikologjike të ngjashme me periudhën e pandemisë. Veç se tani objekt i mllefit dhe i frustimit janë mësimdhënësit dhe institucionet, varësisht si ua transmetojnë të rriturit”, thotë Zabeli për Albanian Post.

Një tjetër pasojë që do të përcillet tek nxënësit është edhe ritmi i mësimnxënies.

Shkolla “Faik Konica” në Prishtinë.

“Pushimi i gjatë ndikon në ritmin e mësimnxënies së nxënësve, në mungesën e rikujtimit efikas të mësimeve paraprake si rezultat i shkëputjes nga sistemi mësimor, rutina jo produktive jashtë sistemit arsimore nxitë tek nxënësit ndjenjën e të qenit të padobishëm e të parëndësishëm”.

Java e katërt në arsim që shkollat e Kosovës mbesin nën dry

Më 23 shtator, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për grevën në arsim.

Rezoluta e partisë opozitare, PDK-së, kishte paraparë që Qeveria të nisë negociatat me Këshillin grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) brenda 48 orëve dhe të gjendet zgjidhje për dhënie fund të grevës.

Përveç punëtorëve të arsimit, që nga 25 gushti në grevë janë edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte zhvilluar takim me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, por që takimi kishte përfunduar pa ndonjë rezultat në këtë drejtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore