Shqipëria

UNFPA: Shqipëria po plaket, fertiliteti në nivele të ulëta


Shqipëria po përballet me sfida të mëdha demografike dhe shëndetësore. Kjo bëhet e ditur në një raport të fundit të Fondit për Popullsinë i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), në bashkëpunim me Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë pranë Kuvendit të Shqipërisë.

“Ky raport prek disa nga sfidat kryesore mbi shëndetin dhe demografinë”, tha për Albanian Post, Elsona Agolli, analiste programi për Çështjet Gjinore dhe Popullsinë pranë UNFPA-së.

“Sfida kryesore është mplakja e popullsisë me ritme shumë të shpejta. Fertiliteti është në nivele të ulëta. Planifikimi familjar gjithashtu. Është domosdoshmëri që të merren politika serioze për fuqizimin dhe përfshirjen e rinisë në shoqëri”.

Sipas Agollit, “përfshirja e Kuvendit në këto çështje është tregues i angazhimit serioz për të punuar mbi këto drejtime”. “Komisione Parlamentare janë përfshirë. Institucione të tjera qeveritare dhe joqeveritare. Gjithashtu janë përfshirë edhe INSTAT-i dhe institucione kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

Gjatë takimit të zhvilluar, një fjalë mbajti dhe eksperti i Shëndetit Publik, Genc Burazeri, pjesë e autorëve të raportit. “Raporti tregon nevojën për rritjen e nivelit të edukimit shëndetësor të mbarë popullsisë”.

Ndër të tjera, eksperti bën thirrje për “angazhim më serioz nga ana e qeverisë lidhur me këto çështje”.

Dr. Arjan Gjonca, ekspert i Demografisë në London School of Economics, theksoi “nevojën për t’u përqendruar tek potenciali i të rinjve”. “Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ketë fokus edhe tek të moshuarit. Aborti selektiv duhet të jetë jashtë çdo diskutimi”.

Në dhjetë vitet e fundit mosha mesatare në Shqipëri është rritur me pesë vite. Kjo, sipas të dhënave të Instat.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore