Shqipëria

UNFPA: 31% e grave shqiptare, pa autonomi trupi


Pothuaj gjysmës së grave në botë u mohohet autonomia e trupit, ndërsa në Shqipëri, rreth 31% e tyre nuk janë tërësisht të fuqizuara për të marrë vendime për veten.

Ky është përfundimi i një raporti të Fondit të Popullsisë i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), mbi autonominë e trupit te gratë, në 57 vende të botës.

Për herë të parë, një raport i tillë përqendrohet pikërisht tek autonomia e trupit të grave, si çështje me rëndësi në mjedisin e sotëm social.

Në konceptin e autonomisë së trupit, përfshihen aspekte, si: fuqia dhe mundësia për të bërë zgjedhje mbi trupin, pa frikën se dhunohesh apo se do e marrin të tjerët këtë vendim për ty.

“Autonomia e trupit është një themel për të gëzuar të gjitha të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtën për shëndet dhe të drejtën për të jetuar pa dhunë”, tha Alanna Armitage, drejtoreshë rajonale e UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

Rajoni ballkanik është gjithashtu problematik

“Fakti që në rajon, përfshirë Shqipërinë, pothuaj gjysma e grave dhe vajzave nuk mund të marrin vendimet e veta për marrëdhëniet seksuale, duhet të zemërojë dhe të na vërë në lëvizje për të vepruar”, deklaroi për Albanian Post Manuela Bello, drejtuese e zyrës së UNFPA-së në Shqipëri.

“Duhet bërë më shumë me politika dhe ndërhyrje direkte të zbatimit të legjislacionit. Kjo, për të ndryshuar jetën e 31% të vajzave dhe grave në Shqipëri, që ato të fuqizohen. Që ato të ushtrojnë të drejtën e tyre për autonominë e trupit të vet. Për të vendosur për jetën dhe të ardhmen e tyre, pa pasur frikë”.

Kjo mungesë autonomie, sjell edhe pasoja tek to, sipas psikologes Lenida Halilaj

E pyetur nga Albanian Post, ajo nënvizon faktin se “autonomia e trupit për gratë dhe vajzat në Shqipëri, lidhet ngushtësisht me marrëdhëniet e ndërvarësisë në familje”.

“Ka të bëjë me prindin autoritar mashkull, pra babain. Shto këtu edhe lidhjet romantike më tej në martesë, ku burri është vendimmarrësi kryesor. Në një pjesë të konsiderueshme të marrëdhënieve, burrat janë ata që sigurojnë të ardhurat për jetesën në çift”.

“Nuk do ta quaja ’autonomi’ për shumicën e grave”, shton Halilaj. “Do ta quaja ‘protektoriat’. Kjo, pasi siguria e tyre seksuale, zgjedhjet që ato bëjnë me trupin e tyre, i përkasin partnerit, prindit ose shoqërisë”.

Sipas psikologes, kjo vjen edhe si “pasojë e një shoqërie patriarkale ku jetojmë”. “U kemi dhënë shumë rëndësi roleve gjinore dhe stereotipeve në familje. Aty gratë zakonisht perceptohen se kanë vlerë më të ulët dhe cilësi më të dobët në vendimmarrje”.

Ndër problemet më të mëdha, sipas saj, vazhdojnë të mbetet abortet selektive dhe abuzimet seksuale.

“Aborti selektiv është shqetësues në Shqipëri. Abuzimet seksuale te vajzat dhe gratë nga ish-partnerë, persona të familjes apo të panjohur, janë kthyer në gjyqe publike për viktimat. E njëjta gjë vlen edhe për dhunën në familje ndaj grave. Stereotipet gjinore, shpesh çojnë në akte dhune ndaj tyre”.

Një zgjidhje, sipas Halilajt, mbetet fuqizimi ekonomik i grave.

“Fuqizimi ekonomik i vajzave është i rëndësishëm. Ai siguron pavarësi, dinjitet dhe marrjen e vendimeve. Vetëm kur të arrihet ky fuqizim, mund të flasim për autonomi të trupit dhe sens të vetes te gratë në Shqipëri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore